Bardhi: Farka Volej ekip “bio”, ja pse jemi në krye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2015 | 18:34

Bardhi: Farka Volej ekip “bio”, ja pse jemi në krye

volejFarka Volej nuk është më skuadra surprizë e kampionatit të 70-të kombëtar. Pas katër javësh udhëheq me 9 pikë, tri fitore dhe asnjë humbje. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Dritan Bardhi u shpreh se kjo skuadër është “bio” dhe nuk është rastësisht në krye.

I pritshëm nga ana juaj ky start i sezonit pa asnjë humbje?

Kush punon, shpërblehet me fitore. Për dijeni, ne kemi filluar fazën përgatitore prej 10 korrikut dhe i prisja këto rezultate. Ndërsa skuadrat e tjera shijonin pushimet e verës, ne stërviteshim nga dy herë në ditë. Me fillimin e kampionatit lojtarët janë të angazhuar në shkollë dhe kryejmë nga një seancë në ditë, veçse 3 orë stërvitje intensive. Megjithatë parashikoj se mund të shkojmë më larg se kaq.

Tashmë kjo skuadër nuk mund të quhet më surprizë e meshkujve?

Jo. Shpresoj të fitojmë edhe këtë fundjavë me Studentin. Kam besim se skuadra do të ruajë ritmin e shfaqur deri tani. Mundësitë tona janë.

Çfarë është ndryshe ky ekip nga ai i sezonit të mëparshëm?

Ndryshimi është se ka më tepër besim. Si trajner nuk kam më frikë, njëherësh lojtarët janë të qetë. Edhe kur jemi në disavantazh, si rasti në Korçë, skuadra rikuperon. Ka fituar eksperiencën e duhur. Është më e pjekur. Kjo po reflektohet me rezultate pozitive.

Ka prurje të reja në këtë edicion, apo i keni besuar grupit të mëparshëm?

Është i njëjti grup si para gjashtë viteve. Jemi një skuadër “bio”. Dhe kjo e bën të dyfishtë kënaqësinë time si trajner, pasi i kam rritur vetë këta djem të talentuar. Jemi si një familje. Nëse ekipet e tjera kanë zgjedhur të bëjnë merkato, unë i kam besuar vetëm këtij ekipi. Gjatë kësaj kohe kemi punuar mjaft. U ruhem shumë dëmtimeve dhe falë Zotit nuk kemi pasur asnjë traumë. Ky është rezultat i një stërvitshmërie sistematike.

Me çfarë objektivi e keni nisur kampionatin?

Urojmë të kualifikohemi në finale. Paraprakisht të sigurojmë “play off”-in. Sa i përket mbështetjes, deri tani jemi përkrahur nga ish-kryetari i komunës Fatbardh Plaku, presidenti Shkëlqim Fusha e mjaft sipërmarrës. Pa ndihmën e tyre nuk do të ishim këtu, pavarësisht angazhimit tonë si ekip. Megjithatë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj nga ka premtuar se do të na mbështesë me projekte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"