Barcelona “uragan”, Reali mund Vijarealin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2014 | 9:58

Barcelona “uragan”, Reali mund Vijarealin

BarcelonaBarcelona duhej pat jetër që të fshinte nga kujtesa paraqitjen në Malaga dhe këtë e bëri dje me goleadën ndaj Granadës. Në përfundim të pjesës së parë takimi mund të quhet i mbyllur, pasi vendësit kryesojnë 3-0. Nejmari shënoi tre gola, Mesi dy dhe Rakitiçi la firmën e tij gjithashtu. “Pleshti” po ashtu dha dy asiste, ndërsa shkoi në kuotën e 401 golave në karrierën e tij. Për “gardianin” Bravo, e djeshmja ishte ndeshja e gjashtë radhazi pa pësuar gol. Për të thyer rekordin e Artolës, tani atij i duhen 20 minuta. Trajneri Luis Enrike dje riktheu në fushë Ksavin, në vend të Iniestës. Spanjolli është një nga tre lojtarët më pak të përdorur të këtij sezoni. Në sulm luajti Muniri, duke i zënë vendin Pedros, ndërsa në prapavijë pati rotacion. Mathjë dhe Adriano luajtën në krah të Maskeranos, kurse Pikeja nuk ishte as në stol. Që në nisje vendësit janë kërcënues. Shkëndijën e parë e dha Mesi, goli i të cilit u anulua për pozicion jashtë loje milimetrik. Sfida u vendos mes minutave 26 deri në 45. Nejmari zhbllokoi rezultatin, pas gafës së Justes, më pas Rakitiçi realizoi pas asistit të “Pleshtit” e prapë Nejmari, që përfitoi nga gabimi i “gardianit” Roberto. Pjesa e dytë shërbeu për të vazhduar goleadën. Mesi bëri gol në të 62-n minutë, dha asistin e finalizuar nga Nejmari pas 4 minutash dhe në fund të lojës, pasi vjedh topin, mund prapë Roberton. “Pleshti” tani është vetëm 3 gola larg rekordit të golashënuesit më të mirë në La Liga, Telmos (261 gola).
Reali – Mund të ishte një ndeshje e vështirë për Real Madridin, por realiteti tregoi që “galaktikët” janë shumë të saktë duke fituar 0-2 ndaj Vijarealit. Tekniku italian vendosi që skuadra të luante me modulin 4-3-3. Për këtë arsye është e kuptueshme që edhe në sfidën e djeshme skema nuk do të ndryshonte. “Galaktikët” rrezikuan disi ndaj Vijarealit, por prapë fituan. Në stadiumin “Madrigal” për gati një orë u panë dy ekipe që luajtën me ritëm të lartë. Detajet nga të dyja ekipet ishin të bollshme, ashtu si dhe rastet e loja ofensive. Të zotët e shtëpisë në pjesën e parë krijuan më shumë se “galaktikët”, por në përfundim të 45 minutave të para kishin pësuar dy gola. Vendësit luftuan shumë dhe mund të kishin pasur rezultate, nëse Kasijasi nuk do të ishte në nivelin e tij më të lartë në portë, Marseloja të bënte një hedhje të jashtëzakonshme pas gjuajtjes së Triguerosit dhe të gjithë madrilenët mos të ishin në një formë të mirë. Goli i parë për Realin do të vinte nga këmbët e Modriçit në të 32-n minutë me një gjuajtje shumë të bukur nga limiti i zonës. Pas 8′ dyfishoi Ronaldoja, që deri tani ka shënuar 10 gola në kampionat. Portugezi ka realizuar në 6 sfida radhazi. Në të dytën, vendësit gabojnë tri raste të mira dhe, në vazhdim, bien psikologjikisht. “Galaktikët” menaxhojnë mirë rezultatin deri në fund.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"