“Barcelona nuk e përballoi ritmin tonë”, Ten Hag: Kjo është fitorja më e madhe si trajner i “Djajve”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2023 | 10:57

“Barcelona nuk e përballoi ritmin tonë”, Ten Hag: Kjo është fitorja më e madhe si trajner i “Djajve”

Mançester Junajtid ka mundur Barcelonën 2-1 me një përmbysje spektakolare në pjesën e dytë duke siguruar kualifikimin për në 1/8-at e finaleve në Ligën e Europës.

Eric-Ten-Hag

Skuadra e drejtuar nga Erik ten Hag e ka gjetur veten në disavantazh me Levandovskin që i ka dhënë kryesimin Barçës, por në pjesën e dytë dyshja braziliane, Fred dhe Antoni, kanë përmbysur gjithçka. Duke folur pas takimit, trajneri i Mançester Junajtidit, Erik ten Hag, nuk e ka fshehur gëzimin për suksesin, duke e cilësuar këtë si fitoren më të madhe si trajner i “Djajve të Kuq”.

KUALIFIKIMI – “Në fund mendoj se ka qenë një kualifikim i merituar. Në pjesën e parë kemi qenë në vështirësi, sepse Barcelona ka luajtur shumë mirë. Ne na munguan ata mekanizmat tanë të zakonshëm. Por në pjesën e dytë e kemi ngritur nivelin e lojës, intensitetin dhe ritmin. Barcelona e ka pasur të vështirë të përballojë ritmin tonë. Kjo ka qenë fitorja më e madhe imja si trajner i Mançester Junajtidit”, ka thënë Ten Hag për mediat britanike.

PRONARËT – Trajneri i Mançester Junajtidit ka folur edhe për lajmet më të fundit në Angli në lidhje me shitjen e mundshme të aksioneve të klubit. Trajneri holandez është shfaqur i qetë nga kjo anë, duke nënvizuar se pavarësisht se çfarë mund të ndodhë në kupolën drejtuese të klubit, kjo nuk do të bëhet pengesë për ecurinë në fushë të skuadrës.

“Nuk mendoj aspak për atë çfarë mund të ndodhë me hierarkinë e lartë të klubit. Ajo që mendoj është si ta përmirësojmë skuadrën në fushë. Unë besoj se drejtuesit do të marrin vendimet e duhura në lidhje me këtë temë. Detyra ime është të trajnoj lojtarët dhe t’i bëj ata të fitojnë. Unë nuk mendoj se ajo çfarë mund të ndodhë lart do të shpërqendrojë ekipin. Ata po e tregojnë se mendja e tyre është në fushë”, ka thënë Erik ten Hag.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"