Barazoi Partizanin, sulmuesi i Flamurtarit “thumbon” Sadedinin: Dikush nuk ka dashur që unë të luaj

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 17:52

Flamurtari Kategoria Superiore Të fundit

Barazoi Partizanin, sulmuesi i Flamurtarit “thumbon” Sadedinin: Dikush nuk ka dashur që unë të luaj

Bajram Nebihi i dha barazimin Flamurtarit në ndeshjen e vështirë me Partizanin. 31-vjeçari nga Mitrovica, me një eksperiencë të konsiderueshme në Gjermani, Turqi, Finlandë dhe Tajlandë, i befasoi të gjithë me paraqitjen e tij në ndeshjen e parë me Skënderbeun në Korçë, por më pas do të ulej në stol. 

bajram nebihii

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Nebihi thotë se ka pasur njerëz që nuk e kanë dashur aktivizimin e tij. Nuk flet me emra, por të gjitha shigjetat bien për ishtrajnerin Sadedini. Ai premton maksimumin për Flamurtarin dhe beson se ekipi do të dalë shpejt nga kjo situatë. Bajrami tregon edhe emocionet kur i duhet të luajë te Flamurtari me djalin e xhaxhait, Kreshnikun.

Bajram, Flamurtari realizoi një lojë të mirë me Partizanin, pavarësisht se nuk shkoi më shumë se barazimi. Ju, si e vlerësoni këtë takim? 

Pas atij rezultati jemi më të qetë, pasi neve na nevojitet çdo pikë. Barazimi nuk është se më ngroh shumë, pasi në situatën që jemi luajmë gjithmonë për fitoren. Por, të jemi edhe realistë, duke parë situatën dhe se çfarë ekipi është Partizani, me të cilin u ndeshëm, edhe një pikë është shumë e mirë për ne. Jemi të kënaqur edhe me një pikë dhe tani na duhet të shikojmë përpara.

flamurtari partizani

U aktivizuat si titullar dhe shënuat. Çfarë nuk ka shkuar më parë dhe pse nuk jeni aktivizuar rregullisht?

Unë u gëzova që e ndihmova ekipin me gol. Prej 8 javësh nuk kam luajtur. Nuk e di pse nuk jam aktivizuar. Kam qenë pak i dëmtuar, por kjo gjë nuk e justifikon situatën. Edhe presidenti Idrizi më ka pyetur se përse nuk kam luajtur, pasi i ka rënë në sy kjo gjë. Ndoshta nuk i ka pëlqyer dikujt që unë të luaj. Kush më shikon dhe më njeh, e di se sa kualitet kam dhe mundohem gjithmonë që të jap maksimumin për ekipin.

Ndeshja e radhës, me Luftëtarin. Mendoni se do të shijoni fitoren e parë? 

Marrja e tri pikëve në ndeshjen e radhës me Luftëtarin është me shumë rëndësi. Kemi punuar shumë për të bërë një paraqitje dinjitoze, por do të punojmë akoma më shumë për këtë ndeshje. Kemi edhe mjaft kohë në dispozicion. Duhet të fitojmë dhe të kthejmë frymën pozitive në klub. Na nevojitet patjetër fitorja.

Mendoni se mund ta arrini lehtë fitoren kësaj radhe? 

Jo, jo, aspak. Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi edhe Luftëtari është pothuajse në pozitat tona dhe atyre u nevojitet fitorja. Këto janë ndeshje shumë të vështira. Edhe Luftëtari do të kërkojë të fitojë me çdo kusht dhe të japë maksimumin, por ne jemi të qartë se sa e rëndësishme është ndeshja dhe unë them se do të fitojmë 100%.

Te Flamurtari luani me kushëririn tuaj, Kreshnikun. Ishit të dy në fushë të dielën. Çfarë emocioni patët?

Kreshnikun e kam djalin e xhaxhait. Normalisht që ndihem mirë. Unë jam pak më i madh se Kreshniku. Jam krenar për atë, kur shikoj se si po luan, si po paraqitet këtu dhe si po përparon. Bëhem krenar për Kreshnikun kur e shikoj. Kur unë kam luajtur futboll, ai ka qenë i vogël, tani luajmë bashkë. Kjo është një ëndërr që e kemi pasur të dy. Është hera e parë që luajmë bashkë.

Kreshniku ka zënë vend stabël në formacion. Keni xhelozi për këtë? 

Nuk kemi xhelozi me njëri-tjetrin. Nuk ka përse të kemi. Kur ka qenë i vogël Kreshinku, ka qenë krenar për mua, tani jam unë krenar për të.

Flamurtari rrezikon Superioren. Si e shikoni të ardhmen?

Unë mendoj se do ta kalojmë këtë situatë të vështirë dhe do të shkojmë së shpejti në atë vend që meritojmë. Kemi lojtarë me kualitete që po njohin më mirë njëri-tjetrin. Kam bindjen se shumë shpejt do ta kalojmë. Kemi garancinë e presidentit për këtë. Ai na mbështet gjithmonë dhe na qëndron pranë.

Ermal Sika




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com