“Barazimin s’e dua”, Idrizi pret fitoren e Flamurtarit për Superioren: Çela të mos jetë kaq… nervoz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2023 | 11:00

“Barazimin s’e dua”, Idrizi pret fitoren e Flamurtarit për Superioren: Çela të mos jetë kaq… nervoz

Sinan Idrizi nuk e pra non barazimin. Para shikon një ndeshje spektakolare në fushë dhe tribuna kundër Elbasanit, por në fund llogaritë i bën vetëm me trepikëshin. Fitoren e sheh si të vetmen alternativë, që e çon Flamurtarin e tij drejt misionit “Superiore”. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport” e vlerëson kundërshtarin si pretendent dhe si të tillë pret që skuadra e tij ta mundë. Nuk kishte si të mos komentonte edhe deklaratat e Emiljano Çelës, për mungesën e presionit në Vlorë. E cilësoi si një trajner me perspektivë, por në anën tjetër e këshillon që të mos jetë… gjaknxehtë.

SINAN IDRIZI

Luhet Flamurtar-Elbasani, si e pret Idrizi këtë ndeshje?

Është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo e qametit. Luajmë me një ekip pretendent, me një ekip të mobilizuar dhe të strukturuar. Janë dy qytete që kanë histori në futbollin shqiptar. Fat i keq që luajmë në këtë kategori. Pres një ndeshje të mrekullueshme nesër (sot).

Do t’ju mërziste një barazim?

(Qesh). Sot që flasim, unë nuk mund të bëj dot analizë. Ndeshja nuk është luajtur ende dhe nuk e kemi luksin që të bëjë llogari dhe unë këtë pjesë nuk e kam fort qejf. Unë shikoj vetëm anën statistikore në fund fare.

Çfarë nënkuptoni me këtë?

Sot që flasim bashkë, ne kemi një mesatare pikësh 1.7 pikë për ndeshje. Dhe ky nuk është objektivi ynë. Ky pikavarazh nuk është Superioreje. Trajnerët e kanë të qartë se minimumi ynë është 2.1 pikë për ndeshje. Unë vetëm në këtë drejtim dua ta shoh, në anën statistikore. Sigurisht që dua një lojë shumë të bukur dhe këtë e them si tifoz tani. Po, si drejtues puna ndryshon. Shikoj statistikat. Barazimi mua nuk më çon tek ajo që kërkojmë ne.

Nuk keni qenë në Vlorë këto ditë, u kthyet vetëm për të mos humbur këtë përballje?

Po, po është e vërtetë. Isha jashtë shtetit për arsye pune dhe do të iki menjëherë pas ndeshjes. Nuk doja ta humbisja.

Emiljano Çela ka thënë se nuk ka ndierë kurrë presion në Vlorë. Keni një koment?

Çela është një nga trajnerët e rinj dhe të perspektivës në Shqipëri. Në syrin tim i tillë mbetet. Sigurisht që gjërat ndonjëherë shkojnë mirë, ndonjëherë shkojnë keq. Me kalimin e kohës, kur plakesh thua sikur ta kisha bërë më mirë, të kisha bërë këtë dhe atë. Punon me përkushtim. Pastaj e di si është puna në fund fare, çdo gjë është në dorë të rezultatit, është në dorë të asaj që shkon dhe nuk shkon. Trajner më të mirë nga Murinjo nuk ka sot në botë, në syrin tim si amator. Por shikohen rezultatet. Jam i sigurt që Çela me rezultatet në vazhdimësi ka për të bërë gjëra të mirë në Vlorë. Përkushtimin e ka. Por sikur të jetë akoma më i qetë, do të jetë më mirë. Po si duket me rininë i ka të gjitha. Është këtej nga jugu, nga jemi ne. Është lab o vëlla. Po të mos jemi gjaknxehtë ne, nuk ka labçe.

Elbasanin si skuadër si e vlerësoni?

Elbasanin nuk e kam parë. Por nga ajo që kam dëgjuar, ka një strukturë të re agresive të ndërtimit të skuadrës. Pjesën tjetër pastaj nuk e di. Më thanë që ka një tifozëri të mirë e të mrekullueshme, që e ndjek nga mbrapa. Do të vijnë në Vlorë dhe do të bëjnë shoun e radhës. Di të them vetëm që janë të mirëpritur.

Superiorja vazhdon të jetë objektivi i këtij Flamurtari?

Por nëse nuk është Superiorja objektivi ynë, kush mund të jetë?! Unë e thashë edhe në atë kohë kur kërkova që të shtyja menaxhimin e Flamurtarit, e kërkon qyteti këtë objektiv. Boll me kaq, kjo është historia!

Për tifozët keni një mesazh?

Unë doja ta luanim ndeshjen në darkë, por nuk na e aprovuan. Do të ishte më mirë pasi këto ditë është pak vapë në Vlorë. Jam i sigurt që do të mbushnin shkallët. Mesazhi im është që të kalojë ndeshja qetë. E them këtë pasi janë fryrë ekipet sikur është fundi botës dhe duan fitore. Do të luajnë dy ekipe civile. Elbasani është ekip qytetar me lojtarë Superiore ashtu si ne. Do të jetë një ndeshje bukur.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"