Bajerni prezanton trajnerin e ri: U riktheva në shtëpi, premtoj trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2018 | 16:30

Bajerni prezanton trajnerin e ri: U riktheva në shtëpi, premtoj trofe

Bajerni i Mynihut ka prezantuar dje zyr tarisht trajnerin e ri. Niko Kovaç është pasardhësi i Jup Hejnkesit që u largua nga stoli i kampionëve të Gjermanisë. Kovaç ka qenë ish-lojtar i Bajernit në të kaluarën. Ai ishte sezonin e kaluar trajneri i Frankfurtit me të cilin fitoi edhe Kupën e Gjermanisë, pikërisht ndaj bavarezëve në finalen e luajtur në Berlin.

Ndërkohë, është konfirmuar si ndihmës i tij Peter Herman, që ishte gjithashtu asistenti i Jup Hejnkesit kur drejtonte bavarezët. Herman për arsye familjare do të fillojë punë vetëm në muajin shtator, shkruan klubi në faqen zyrtare. Ndërkohë, Kovaç është shprehur shumë i kënaqur për faktin që është rikthyer në ish-klubin e tij. Ai gjithashtu ka lëshuar sinjale pozitive për sulmuesin Robert Levandovski, me të cilin kërkon të punojë sezonin e ri.

kovac bajern

Dikur lojtar në këtë klub tani trajner, si ndiheni?

Ky është pa dyshim një avantazh dhe jo një disavantazh për mua. E di se me çfarë mentaliteti do të punoj. Bajerni është një skuadër që kërkon gjithmonë të fitojë dhe besoj që e kuptoj sesi funksionon kjo gjë këtu.

Do ta mbani Levandovskin?

I kam telefonuar atij dhe ai kërkon që të fitojë akoma tituj. Ai për mua është një sulmues i klasit botëror dhe këtë ia kam thënë, mendoj që çdo lojtar me cilësi të ngjashme duhet ta dëgjojë nga trajneri i tij.

Po me Boatengun keni biseduar?

Jo, për momentin vetëm me Levandovskin dhe Manuel Nojerin. Por në Frankfurt kam pasur një Boateng tjetër dhe me atë kam kaluar shumë mirë. Nuk besoj se me Zherom do të jetë ndryshe (qesh).

Mendoni se paraqitja e dobët e lojtarëve të Bajernit, të cilë kanë luajtur në Botëror, do të ndikojë për keq?

Nuk do të jetë shumë e vështirë. Shumë lojtarë janë në gjendje të motivohen vetë. Kërkoj që ata të kenë dëshirë dhe pasion kur të rikthehen nga pushimet.

Do të rikthehet Renato Sançez?

Unë dua të punoj me atë, ai ka shumë kualitet. Në Bundesligë ka pak lojtarë si ai. Shpresoj që ta tregojë me Bajernin në sezonin e ri.

Origjina juaj dhe jeta në Gjermani, sa ju ka ndihmuar puna këtu?

Unë jam rritur në një zonë të Berlinit me njerëz nga e gjithë bota. Është interesante të jetosh në një komunitet me kaq shumë kultura të ndryshme. Kjo më ka ndihmuar të punoj me shumë karaktere të ndryshme. Jam një person që suksesin dua ta arrij falë punës sime.

Cili është objektivi juaj i ardhshëm?

Unë dua që së bashku me stafin të përmirësojmë çdo lojtar. Nëse e arrijmë ta bëjmë këtë gjë, atëherë mendoj që mund të fitojmë trofe. Në fund të fundit jam këtu për të fituar sa më shumë.

Çfarë stili loje preferoni?

Bajerni ka që nga koha e trajnerit Van Gal një stil loje. Duam ta ruajmë këtë gjë dhe ta modifikojmë. Duhet që gjatë lojës të presim kundërshtarin dhe më pas të luajmë lojën tonë duke e dominuar atë.

Kombëtarja u eliminua para kohe, është ky faji i lojtarëve apo trajnerit?

Nuk besoj që është e drejtë të kritikosh menjëherë trajnerin kur gjërat nuk shkojnë mirë. Nuk e di sesi do të veprojë Lëv për të ardhmen e tij, por unë jam pro tij dhe mendoj që ai duhet të vazhdojë të jetë trajneri i kombëtares. Në Bundesligë ka shumë lojtarë të talentuar dhe Lëv duhet të fillojë nga këtu për t’u kthyer përsëri në majë. Ndërsa për skuadrën mund të them që në krahasim nga Botërori i 2014-ës, munguan 4-5 lojtarë që mund të bënin diferencën në skuadrën aktuale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"