Bajerni mund Dortmundin, fiton Superkupën e Gjermanisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 9:08

Bajerni mund Dortmundin, fiton Superkupën e Gjermanisë

Bajern Mynih – Borusia Dortmund 2-1
Golat: 6′ Mandzukic; 11′ Müller; 75′ Levandovski)
Bajerni
: Neuer – Lahm, Boateng, Dante, Can (70’ Badstuber) – Gustavo, Kroos – Robben (86’ Shaqiri), Müller, Ribéry (81’ Tymoshchuk) – Mandzukic. Trajner: J.Hejnkes
Borusia Dortmund: Weidenfeller – Piszczek, Subotic, Hummels, Schmelzer – Gündogan, Leitner (64’ Götze) – Blaszczykoëski (71’ Schieber), Reus, Großkreutz (64’ Perisic) – Levandovski
Gjyqtar: Weiner
Kartonë të verdhë: Gustavo, Can, Mandzukic, Robben / Schmelzer

Bayerni i Mynihut fitoi Superkupën e Gjermanisë, duke mundur me rezultatin 2-1 rivalen e vet më të madhe në Bundesligë, Borusian e Dortmundit. Sfida e zhvilluar në “Allianz Arena”, në kryeqytetin bavarez, dhuroi shumë shpejt dy gola për të besuarit e Jup Hejnkesit, që kaluan në epërsi për 1-0 me anë të Mandzukic, në minutën e 6-të, ndërsa dyfishuan shifrat në të 11-tën minutë me Myller. Kjo e shokoi kundërshtarin, i cili kishte pjesën e vet të fajit në këtë ndëshkim të shpejtë e të rrufeshëm, sepse gaboi në të dyja rastet në mbrojtje. Pjesa e parë ka qenë e errët për formacionin e Jurgen Klop, i cili nuk arriti të organizohej dot në mesfushë, krahët nuk funksiononin, ndërsa sulmi mbeti tërësisht i izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës. Mirëpo, në fraksionin e dytë, Dortmundi ndryshoi “fytyrë”, u shfaq më i rrezikshëm e kërkues, bëri lëvizjet e duhura në formacion, duke e detyruar Bajernin e Mynihut të mbyllet me forca të shumta në gjysmëfushën e vet. Minuta e 75-të e ndeshjes solli edhe golin e parë të Borusias së Dortmundit, falë një veprimi dhe konkludimi të zgjuar të Levandovskit, i cili u duk se e rihapi lojën. Në fakt intriga e kësaj sfide u bë shumë e madhe, mundësitë për të barazuar iu krijuan Dortmundit, por fati nuk qe me të kësaj here. Ai ishte në anën e bavarezëve, që iu falën atij fillimi ëndrrash, me dy gola të shpejtë, të cilët mjaftuan për të fituar Superkupën e Gjermanisë dhe për ta nisur sezonin e ri mjaft mirë, me një trofe. Njëlloj hakmarrjeje e ëmbël e bavarezëve karshi Dortmundit, që i ka lënë “duarthatë” në dy sezonet e fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"