Armando Cungu, një shkodran për pankinën e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2012 | 11:12

Armando Cungu, një shkodran për pankinën e Kukësit

Armando Cungu, shumë pranë pankinës së Kukësit. Trajneri shkodran ka nisur bisedimet me drejtuesit e klubit dhe deri në këto momente ai konsiderohet kandidati më potencial për stolin kuksian. Mbrëmë ka përfunduar edhe një takim mes tij dhe presidentit Safet Gjici. Ndonëse akoma nuk ka gjë zyrtare, marrëveshja duket shumë pranë. Vetë presidenti shprehet: “Parimisht kemi rënë dakord, por në dy ditët në vijim do të shqyrtohen pranë bordit drejtues kërkesat tona, por edhe të Cungut. Vetëm më pas do vendosim. Asgjë nuk është përfundimtare. Gara është e hapur edhe për të tjerë emra, kështu që ne do të bëjmë zgjedhjen më të mirë në momentin e duhur. Vetë Cungu ndërkaq nuk ka pranuar të flasë mbi këtë takim, por nuk hezitoi që të përgëzojë ngjitjen e Kukësit në elitë. “Më gëzon fakti që Kukësi arriti të prekë Superligën dhe për këtë ndihem aq mirë, sa dhe për Vllazninë time. Respektoj mundin e të gjithë atyre që e bënë të mundur këtë dhe e konsideroj nder që edhe unë mund të jem pjesë e kësaj skuadre”, – tha Cungu. Emra të tjerë që pritet të shqyrtohen janë ata të Artan Bushatit, Mauro De Vekis, Agim Canajt, Sulejman Starovës, Mirel Josës etj, por ende s’ka diçka konkrete. Siç dihet Duro, ishte shumë pranë akordit, por ky i fundit zgjodhi Vllazninë. Cungu, ndonëse me më pak përvojë se emrat e sipërpërmendur, mund t’i përmbushë në mënyrë rigoroze objektivat e presidencës verilindore. Me zyrtarizmin e trajnerit të ri, klubi do të nisë punën për ndërtimin e skuadrës, e cila do të ketë si synime kapjen e mesit të artë në renditje, pse jo edhe pjesëmarrjen në Evropë.
Jonuz Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"