Apolonia vjen me risi në program, skuadra “zgjohet” në fushën stërvitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 17:41

Apolonia vjen me risi në program, skuadra “zgjohet” në fushën stërvitore

Si rrallëherë nën drejtimin e trajnerit Artan Mërgjyshit, Apolonia e zhvilloi seancën e djeshme stërvitore gjatë orëve të paradites. Skuadra zbriti në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, rreth orës 09:30 të mëngjesit.

apolonia

Pas 48 orësh pushim, pjesa e parë e stërvitjes, siç edhe pritej, ishte mjaft intensive. Trajneri Mërgjyshi, së bashku me përgatitësin atletik e ndanë skuadrën në dy pjesë. Gjysma e lojtarëve zhvillonin ushtrime aerobike, ndërsa gjysma tjetër kishin lëvizje të ndryshme mbi pengesa. Pas disa minutash, u ndërruan rolet. Tek aerobia lojtarët u panë më së shumti në siklet, me përgatitësin atletik, që testonte rezistencën e tyre, duke i mbajtur gjatë në një pozicion.

Numri një i pankinës fierake qëndroi vazhdimisht në heshtje gjatë kësaj pjese të seancës, teksa një vështrim më kritik e kishte për mbrojtësit, të cilëve u kërkoi me finesë të jenë më ekzaktë me ushtrimet. Pjesa tjetër e seancës u përqendrua e gjitha në lëvizjet me top, korridoret e daljes në sulm dhe tek automatizimi i lëvizjeve të topit mes reparteve. Në seancën e djeshme u kthye të stërvitej normalisht Lumula Levis Shivaçi, çka përbën një lajm shumë të mirë për trajnerin Mërgjyshi.

Sulmuesi ka pasur një gjendje gripale në ditët e fundit, por duket se gjithçka ka kaluar tashmë. Konsolidimi i repartit të mbrojtjes është një nga pikat ku duhet dhe do të punohet gjerë e gjatë tek Apolonia. Në dy takimet e fundit në kampionat, respektivisht me Lushnjën dhe Korabin, prapavija ka pësuar dy gola “foshnjarakë”, duke treguar pasiguri dhe mungesë përqendrimi. Gjatë kësaj periudhe, por edhe në tërësinë e këtij sezoni kanë qenë vetëm lojtarët e krahut, si Asllanaj dhe Hebeja, një shtysë e madhe për mënyrën sesi ekipi fierak zbret drejt sulmit.

Hilmi Saliu- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"