Apolonia thyen Tomorin në frymën e fundit, trajneri Droboniku: Kam dyshime për golin e anuluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2024 | 13:57

Apolonia thyen Tomorin në frymën e fundit, trajneri Droboniku: Kam dyshime për golin e anuluar

Apolonia vuan shumë, por në fund ia del përballë Tomorit në “Loni Papuçiu”. Fierakët kanë përmbysur rezultatin çerek ore para fundit të takimit. U mendua e lehtë, por në fushë rezultoi krejt ndryshe për Apoloninë, që gjithsesi arriti të fitonte.

apolonia tomori

NDESHJA – Në start janë miqtë dominues dhe Tomori shtang Apoloninë në minutën e 11-të, kur Hyseni harkon në zonë, ku prapavija fierake nuk largon siç duhet topin dhe Oshafi e ka të thjeshtë të shënojë. Pas golit të pësuar fierakët zgjohen dhe marrin kontrollin e lojës. Shanaj lëshon një “silurë” me të djathtën, por Zema është i vëmendshëm.

Apolonia i afrohet shumë golit, kur Bejzade gjuan nga rreth 20 metra dhe ndalet nga traversa, aty gjuan Repaj gjuan me kokë, por sërish traversë. Trajneri Mërgjyshi vë duart në kokë. Më pas Maksuti depërton në zonë dhe gjuan fort me të djathtën, por Zema është në lartësinë e duhur.

Në pjesën e dytë trajneri Mërgjyshi shton forcat në sulm, duke larguar mbrojtësin Odongo për mesfushorin Omeri. Ky i fundit është menjëherë protagonist me një kros në zonë për Umejiego, që gjuan me kokë, por Zema “fluturon” në cepin e portës. Maksuti dhe Umejiego gjejnë mjaft mirë njëri-tjetrin në zonë, por në momentin e fundit i dyti gabon, duke e dërguar topin mbi tra.

Goli i fierakëve vjen në minutën e 74-t. Hebeja bën gjithçka mirë në krah dhe harkon në shtyllën e parë, ku Umejiego me kokë e dërgon topin në trekëndësh. Pas barazimit, vendësit marrin zemër dhe mbeten të rrezikshëm në sulm. Megjithatë, vetëm në minutën e fundit do të shpërbleheshin me golin e fitores. Shanaj hedh një top të gjatë, duke nxjerrë të lirë Umejiegon, portieri Zema ndërhyn në mënyrë të gabuar dhe kryesori Çelaj akordon 11-metërsh. Miqtë protestojnë të gjithë, por vendimi nuk ndryshon.

Omeri gjuan me të djathtën, pret Zema, por topi ngel aty dhe me kokë mesfushori fierak gjen rrjetën. Mbyllet  ky takim, me Apoloninë që buzëqesh vetëm në frymën e fundit. Në anën tjetër Tomori mbetet në vend të fundit.

Droboniku: Kam dyshimepër golin e anuluar

Pas ndeshjes, Iken Droboniku, trajneri i Tomorit, u shpreh: “Jo për t’u justifikuar, po koha ime në drejtim të skuadrës ishte shumë e shkurtër për të përgatitur me detaje ndeshjen ndaj Apolonisë. Për lojën natyrisht jam i kënaqur, veçanërisht në pjesën e parë, ku ishim në lartësinë e duhur. Kemi shënuar 2 gola, por njëri u anulua dhe kam dyshime. Për pjesën e dytë nuk jam fare i kënaqur me gjykimin. Dolëm duarbosh dhe duhet ta pranoj se situata jonë sa vjen dhe rëndohet. Më vjen keq, sepse Tomori nuk e meriton të jetë në këtë gjendje. Nuk do të dorëzohemi, do luftojmë fort për qëndrimin në këtë kategori, përderisa matematika na e lejon këtë gjë”.

Omeri: Fitore emocionuese

Mesfushori Stefano Omeri, i cili realizoi golin e fitores me penallti, pas ndeshjes tha: “Jam shumë i kënaqur me golin e shënuar në fund, por më e rëndësishme është fitorja e skuadrës. Ishte një fitore emocionuese, pasi erdhi me përmbysje dhe vetëm çerek ore para fundit. Treguam karakter, patëm shpirtin e duhur të garës dhe në fund buzëqeshëm, duke marrë 3 pikët, që kanë rëndësi më shumë se kurrë. I kemi të gjitha mundësitë dhe cilësitë për të qenë në vend të 3-të ose të 4-t. I gjithë ekipi beson dhe do luftojmë deri në fund. Do të luajmë vetëm për fitore edhe me Flamurtarin në transfertë. Tani çdo ndeshje është si një finale për ne”.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"