Apolonia, shumë zhurmë për asgjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 12:59

Apolonia, shumë zhurmë për asgjë

Pas analizës së bërë për ndeshjen me Besën, fierakët po përgatiten për takimin e radhës. Në këtë fundjavë udhëtojnë në një transfertë të vështirë për të matur forcat me Devollin e Stavri Nicës, që në këtë kampionat të Kategorisë së Parë po “imiton” Bylisin e Superligës.

apolonia

Është debutues dhe në vend të dytë me plot meritë, ndërsa Apolonisë i është kthyer gati në sindromë ecuria me kaq oshilacione në sezonet e fundit. Është pretendente në projektin e fillimit të edicionit dhe “në letër”, por stonon dhe ngec në rezultate ende pa u mbyllur faza e parë. Vazhdon e njëjta “histori ngushëllimi” me lojën e mirë, por në këtë pjesë kjo skuadër ka probleme evidente, pasi loja e mirë duhet të sjellë rrjedhimisht edhe rezultatet e mira.

I pari që duhet të ngrejë tonet dhe të shkundë ndjeshëm skuadrën është trajneri Mërgjyshi, i cili “e ka mbrojtur” gjer tani grupin e futbollistëve nën “apologjinë” e lojës, por nuk është ky “stofi” i një pretendenti për në Superligë. Kjo situatë duhet ta shqetësojë seriozisht kryepankinën fierake, që edhe pakënaqësitë ndaj skuadrës nuk i ka fshehur në çdo deklarim të tij mediatik. Devolli është një provë delikate për fierakët. Me pozicionin aktual në renditje, duke kalkuluar rezultatet e çdo ndeshjeje të këtij grupi, në fund të kësaj jave që vjen Apolonia mund të renditet nga vendi i dytë e gjer në vendin e tetë, thënë ndryshe nga pozicioni i pretendentes për në Superligë e gjer në skuadrën e rrezikuar për një kategori më poshtë.

Trendi i ecurisë së kësaj skuadre dëshmon për një Apoloni të vonuar në arritjen e nivelit të duhur (si pak skuadra të këtij grupi) dhe me një kurbë në pikiatë nga java në javë. Ja pse Devolli mbetet jo vetëm thjesht një takim i radhës për fierakët, por edhe një barometër për vijimësinë e skuadrës së Mërgjyshit. Sa për kujtesë, në kuadër të 100- vjetorit të themelimit të klubit, drejtuesit fierakë kanë premtuar që Apolonia do të ngjitet në Superligë, si dhuratën më e bukur për sportdashësit e zjarrtë të kësaj skuadre, që e kanë braktisur në masë. Prej 5 sezonesh ekipi i tyre i zemrës luan në Kategorinë e Parë.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"