Apolonia me 6 debutues, por derbi është testi real

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2019 | 22:24

Apolonia me 6 debutues, por derbi është testi real

Fierakët startojnë me këmbën e mbarë ka mpionatin e ri. Një gol i Nakos ka mjaftuar që skuadra e trajnerit Mërgjyshi të kthehet me 3 pikë nga transferta e “Elbasan Arena”-s.

apolonia

Edhe pse e ka diktuar lojën, Apolonia ka marrë një fitore jo shumë të lehtë ndaj verdhebluve. Me diferenca në kualitet, në dukje një Elbasan modest, por që u përpoq fort për ta përballuar Apoloninë dhe gjatë gjithë kohës ishte kërkues dhe rrezik permanent për të barazuar. Fierakët kanë qarkulluar topin dhe kanë kontrolluar lojën, por ende nuk ndihet i kënaqur trajneri Artan Mërgjyshi, i cili kërkon më shumë shpejtësi nga skuadra e tij.

“Tri pikët dhe rezultati na duheshin, sepse ishte takimi i parë, por për lojën ende kam rezerva. E teprojmë me mbajtjen e topit, por edhe me shpërdorimin e rasteve të krijuara. E kishim vlerësuar në maksimum Elbasanin dhe lojtarët tanë e dinin se çfarë duhet të bënin në fushë. Gjithsesi, ishte vetëm java e parë dhe le t’u gëzohemi pikëve. Në fakt, nuk kemi shumë kohë, pasi duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës ndaj Lushnjës, rivales më të fortë të grupit tonë. Luajmë në fushën tonë, por kjo nuk do të thotë asgjë ndaj një kundërshtari të tillë, pasi Lushnja ka një skuadër me shumë cilësi dhe përvojë në përbërje, por ama edhe ne jemi Apolonia”, thotë trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.

DEBUTIMET – Jo pak, por plot 6 debutues regjistroi Apolonia në “premierën” e këtij sezoni. Ata janë Ceka, Ymeraj, Branica dhe Smaçi, të cilët e nisën si titullarë në Elbasan, ku 3 të parët luajtën 90 minuta të plota, ndërsa në pjesën e dytë në fushë u hodhën edhe dy prurje të kësaj vere, Sharavolli dhe Kumani. Një skuadër gati 50% e ndryshuar nga vjet dhe me objektiv Superligën pas plot 5 vjetësh në Kategorinë e Parë, kjo është sfida e Apolonisë së Mërgjyshit këtë edicion. Kjo skuadër do të ketë mundësinë që “këmishën e forcës” ta tregojë qysh javën e dytë, ku përballë do të ketë Lushnjën, rivalen kryesore të Grupit B.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"