Panuçi i paqartë, protesta e Memushajt pasqyrë e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2018 | 21:09

Panuçi i paqartë, protesta e Memushajt pasqyrë e Kombëtares

NEPTUN BAJKO

Neptun Bajko

Të them të drejtën, në fillim skuadra m’u duk e vendosur më mirë se ndeshja e parë. Pashë një ekip që u mundua të mbrohej me forca të mbivendosura dhe ia doli t’i bënte ballë presingut asfiksues të skocezëve. Pikërisht ky lloj përforcimi i dha një stabilitet të kënaqshëm ekipit në start. Për fat të keq, kjo zgjati vetëm një pjesë loje. Po, sepse ekipi dhe trajneri janë në një moment delikat në tërësi. Ndeshja e djeshme dhe mënyra sesi humbëm nxorën në pah se asgjë nuk është e qartë.

Me lëvizjet që bëri, nuk e kuptoj nëse trajneri po punon për momentin, po punon të gërshetojë të rinjtë me të vjetrit, apo po punon për të ardhmen…?! Ka një vit në krye të Kombëtares, por tani më shumë se kurrë po rreket të gjejë ekuilibrat në ekip, në lojë dhe në veprimet taktike. Por nuk është ky problemi kryesor… Problemi i madh është që Panuçi nuk është i bindur sesi duhet të funksionojë skuadra dhe loja e tij. Ndërkaq, edhe lojtarët që ai zgjedh t’u besojë rolin e liderit, duhet të kuptojnë njëherë e mirë se të rritesh nuk do të thotë se sa ndeshje ke luajtur me kombëtaren, por duhen edhe një seri cilësish dhe vlerash për të justifikuar fanellën.

shqiperia

PROBLEMET TAKTIKE

Ta pranojmë, nuk shfrytëzuam mundësitë. Jo vetëm që nuk rregulluam ekuilibrat në krahasim me ndeshjen e kaluar, por këto probleme u thelluan më tepër në ekip, sidomos në pjesën e dytë. Për mendimin tim, dy janë faktorët: Nëse do të luash me tre mbrojtës dhe me pesë apo gjashtë mesfushorë e vetëm një sulmues, atëherë pa diskutim që duhet t’i jepet përparësi lojës në krah. Kjo nuk ndodhi, sepse ne ishim dobët në këtë aspekt. E dyta, që është edhe më e rëndësishmja, lojtarët e mesit të fushës duhet të luanin sa më shpejt dhe në mënyrë vertikale për t’iu afruar me sa më pak pasime zonës së rreptësisë.

E bënë pak herë dhe nuk finalizuan si duhet, por ky nuk mund të mbetet vetëm problem i lojtarëve, por edhe i zgjedhjeve të trajnerit. Dikush mund të përmendë skemën e re të Panuçit. Mbase… Por unë jam i mendimit se një trajner me përvojë në asnjë mënyrë nuk do ta lejojë skuadrën të luajë siç duan lojtarët. Shqipëria në 20 minutat e fundit luajti siç deshën lojtarët, por për fat të keq pa pikë entuziazmi. Por si mund t’ia dalë mbanë Shqipëria e vogël kur del jashtë skemave të trajnerit dhe më pas luan pa entuziazëm? E pamundur që të marrim një rezultat pozitiv, pavarësisht se kush është kundërshtari në fushë…

PËRGJEGJËSITË

Të mos harrojmë se në ndeshjen e parë ne thamë “Strakosha monumental”, por në ndeshjen e dytë monumental ishte Gjimshiti… Shpëtoi 3 raste për gol. Tani le t’i kthehemi problematikës së kësaj ndeshjeje dhe të mos harrojmë një detaj: gjendjen e skuadrës mund ta lexoje fare mirë te lojtari Memushaj… Ai, më shumë se kushdo tjetër, pasqyronte një lloj zemërimi me veten, me gjyqtarin, me kundërshtarin, me rolin që ka në fushë… Kjo e dëmton atë dhe skuadrën, ndonëse ai mundohet të japë maksimumin gjatë ndeshjes. Sjellja e Memushajt ishte një protestë e pavetëdijshme që tregon edhe gjendjen e skuadrës. Panuçi mund të ketë pretendimet e veta pas çdo humbjeje dhe mund të jenë shumë të drejta, por asnjë trajner nuk i ka gjërat në rregull kur një ditë para ndeshjes thotë se “shkojmë për fitore dhe pasi ka humbur thotë se jemi të dobët…”. Panuçi të mos harrojë se po punon në një ekip ku i ka të gjitha kushtet me kolegët e tjerë perëndimorë. Ka në dispozicion lojtarët, kohën dhe mjetet e duhura për të bërë një punë shumë të kualifikuar.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"