Analiza nga Agim Canaj/ Tirana e goditi në mesfushë, Lerda gaboi me zëvendësimet. Partizani u vetëvra me skemën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2019 | 22:49

Analiza nga Agim Canaj/ Tirana e goditi në mesfushë, Lerda gaboi me zëvendësimet. Partizani u vetëvra me skemën

Nga AGIM CANAJ

Agim Canaj ne Vllaznia-Laci 3-0

Tirana e meritoi fitoren, sepse besoi deri në fund dhe asnjëherë nuk u dominua nga Partizani. Ajo që më befasoi te kampionët në fuqi ishte aktivizimi nga Lerda i një grupi lojtarësh, ku si asnjëherë tjetër, nuk mund të mendoja se do të mbeteshin jashtë Çinari dhe Asani. Mungesa e Telushit ishte e madhe. 

Tirana goli ne derbi

Partizani ishte pa tri forca kryesore, që në shumë ndeshje në këto dy vitet e fundit kanë qenë determinante për të ndryshuar rezultatet gjatë derbeve. Po të kthehemi pas në kohë, shumë ndeshje janë fituar nga këta të tre, pikërisht nga Asani, Çinari dhe Telushi. Këtë e them duke iu referuar edhe zhvillimit të ndeshjes nga fillimi deri në fund. Edhe Tirana kishte mungesa, por më bëri përshtypje vendosja në fushë. Ajo ndryshoi në momente të caktuara dhe kjo erdhi pozitivisht, pasi besuan deri në fund për ta fituar.

TAKTIKA

Partizani çaloi në ndërtimin e aksioneve, pasi ishte një skuadër shumë e ngurtë në fushë. Një ekip, që pavarësisht se ishte rreshtuar me skemën 3-5-2, asnjëherë nuk e shfrytëzoi, duke mos krijuar superioritet në fazën sulmuese. Partizani bëri vetëvrasje, duke dëmtuar veten në mënyrën e ndërtimit të aksioneve. Ajo që nuk funksionoi te Partizani ishte mesfusha, me Romeron, Hysenin dhe Melon.

Partizani me tifozet

Asnjëherë nuk dominuan mes Bathës, Çelhakës dhe Torasës. Tirana u mbrojt mirë, krijoi një ekip të shkurtër në fushë, duke ia mbyllur të gjitha hapësirat Partizanit. Asnjëherë Tirana nuk u kap në befasi nga kundërsulmet e Partizanit. Luajti me një harmon të mirë mes katër mbrojtësve dhe dy “digave” si Batha dhe Çelhaka. Këta të dy, për mendimin tim, ishin lojtarët më të mirë në fushë te Tirana.

Partizani ishte fragmentar, sepse në aspektin taktik në pjesën e parë nuk e kapi asnjëherë në befasi Tiranën. Idrizaj në krahun e djathtë çaloi, ndërsa Trashi ishte lojtari kryesor, duke i dhënë shkëndija skuadrës dhe çdo lloj sulmi kalonte nga këmbët e tij. Por, veprimet e tij u thyen nga mbrojtja. Këtu ishte edhe gabimi kryesor, sepse Partizani për shumë minuta nuk qarkulloi topin që të ishte dominant ndaj Tiranës.

Partizani goli ne derbi

Këtë e ka pasur në shumë derbe të tjera dhe i kadhënë rezultat. Tirana ishte shumë e çliruar në aspektin psikologjik, ndryshe nga më parë. Kishte një fillim të mirë në aspektin sulm-mbrojtje, ishte shumë e ekuilibruar dhe luftarake në çdo aspekt. Lojtarët qëndruan shumë afër njëri-tjetrit. Edhe në mbrojtje asnjëherë skuadra nuk u gjet e papërgatitur. Lëvizja e Torasës dhe Halilit rezultoi efektive. I pari bëri mjaft mirë në fazën sulmuese, ndërsa në fazën mbrojtëse ishte më mirë Halili. Me skemën 4-2-3-1, Torasa bënte lëvizje horizontale.

humbte topin, boshllëkun e tij e mbulonte Halili. Goli i parë erdhi pasi theu aksionin Halili, pasoi te Torasa, që krosoi shumë bukur në zonë për Bathën. Kjo u tentua disa herë, derisa u bënë zëvendësimet. Këtu dominoi Tirana, sepse sapo merrte topin, punoi mirë vertikalisht, qoftë me Kobinah dhe Torasën, që bënë mirë fazën sulmuese.

TRAJNERËT 

Ndeshja mund të dilte barazim, por asnjëherë Partizani nuk ishte superior në lojë. Më bënë përshtypje ndërrimet e trajnerit të Partizanit. Asnjëherë nuk vendosi të luante me lojtarë që dinë të driblojnë dhe kanë shpejtësi në sulm. Më tepër me lëvizjet që bëri, e çorganizoi lojën, pasi humbi veprimet sulmuese të Trashit dhe prishi ekuilibrat në mesfushë. Nëse Asani do të futej në krah, do të ishte një zgjedhje fantastike.

lerda egbo

Ishte i habitshëm ndërrimi i rolit të Trashit dhe aktivizimi i Hakajt. Gabimet e Partizanit ishin të mëdha edhe në qarkullimin e topit dhe kjo bëri me krahë Tiranën. Romero gaboi shumë dhe u godit në ato momente. Kobinah bëri diferencën dhe Tirana e meritoi fitoren. Dukej sikur ishte një mall i Tiranës për të fituar, pasi kishte afro gjashtë vite. Këtu ka meritë edhe Egbo, sepse mendoj që i solli qetësinë psikologjike ekipit.

Është një njeri babaxhan, kam punuar me të dhe e di shumë mirë që me frymën që ka futur, lojtarët dhanë maksimumin, ndryshe nga ndeshjet e tjera. Ishte Tiranë ndryshe nga ndeshja me Kukësin, që duke një ekip i çorganizuar. Asnjëherë nuk e humbi ekuilibrin ndaj Partizanit, ishte e përgatitur për çdo lloj rezultati. Kjo ishte një nga ndeshjet më të mira të Tiranës në këtë kampionat. Tregoi se ka kontigjent lojtarësh, por i ka munguar besimi, qetësia dhe tensioni që krijohet rreth skuadrës sa herë humbet.

ATMOSFERA 

Në fund dua të them diçka edhe për leksionin që na dha atmosfera në stadium. Ky derbi ishte i një rëndësie të veçantë, për vetë faktin se vinte në kushte emergjence pas problemeve që kishte vendi ynë në javët e fundit. Tifozëria ishte fantastike dhe mund të them se ndeshja filloi dhe mbaroi me nota pozitive.

bARDHI hYSENI

Duke admiruar këtë pamje, çdo gjë e re sjell risi pozitive, prandaj dhe kjo bën që të vihet dorë edhe në vazhdimësi për futbollin. Ishte diçka madhështore në stadiumin e ri, por që futbolli të zhvillohet, duhet që qeveria të miratojë ligjin për sponsorizimin, sepse kështu favorizohet ky sport. Njerëzit kanë dëshirë për të parë cilësi në një ambient kaq argëtues.

 

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"