Analiza/ Italia e Mançinit, Kieza ndryshon ndeshjen, por fantazistët janë pa ide

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2018 | 17:01

Analiza/ Italia e Mançinit, Kieza ndryshon ndeshjen, por fantazistët janë pa ide

Bën pjesë në rolin e trajnerit karikimi për ta shikuar gotën gjysmë plot, në mënyrë që më pas ta mbushësh të gjithën. Këtë gjë e bëri edhe Roberto Mançini me fjalët e thëna pas ndeshjes ItaliPoloni (Gabime do të ketë, por në përgjithësi skuadra luajti mirë). Por, dalja e parë zyrtare e Italisë meriton një analizë më të detajuar dhe le të shohim se çfarë funksionoi dhe çfarë nuk funksionoi në kombëtaren italiane.

Federico+Chiesa+Italy+vs+Poland+UEFA+Nations+rsNgy9JLtROl

ÇFARË FUNKSIONOI – Le ta nisim nga gjërat pozitive, ku mbi të gjitha bie në sy Federiko Kieza. Lojtari i Fiorentinës, i futur në lojë në të 70-ën, ishte lëvizja decizive për italianët. Kieza solli freski, dëshirë dhe kualitet, të gjitha këto kishin munguar sidomos gjatë pjesës së parë, pa harruar edhe 11-metërshin e fituar. Nëse vazhdon me këto ritme, do të jetë e ardhmja e kombëtares italiane.

Një tjetër notë pozitive ishte futja në lojë e Belotit, që bashkë me Kiezën shfaqën një dëshirë të madhe për të luftuar për fanellën e të kaltërve. Dhe të krijonin përshtypjen se në çdo çast mund të ishin vendimtarë gjatë kohës ku kishin topin në këmbë. Donaruma tregoi që do të jetë një zëvendësues i denjë për legjendën Bufon. Mjafton një mrekulli pas vetëm 6 minutash lojë për të kuptuar që një pritje mund të vlejë sa një gol i shënuar dhe portieri i Milanit e tregoi këtë gjë më pritjen spektakolare që i mohoi golin Zielinskit.

ÇFARË NUK FUNKSIONOI – Basti i mbrëmjes ishte Mario Baloteli, për të cilin Mançini kishte deklaruar se i nevojitet kohë. Mario e nisi titullar dhe për një orë lojë e preku vetëm 12 herë topin pa qenë asnjëherë deciziv. Gjithashtu, një lojë pa ide zhvilluan edhe Insinje me Bernardeskin. Lojtari i Napolit nuk arriti për asnjë çast të marrë rolin e liderit teknik në skuadër, ndërkohë nga ana tjetër Bernardeski, edhe pse i afrohet golit, ndeshja e tij vjen në rënie.

Një tjetër lojtar nga i cili pritej fantazi dhe kreativitet ishte Zhorzhinjo, i cili ktheu në gol 11- metërshin e fituar nga Kieza, por që vuan përballë ish-shokut të skuadrës, Zielinski, dhe gabon shumë topa duke bërë që manovra sulmuese e Italisë të mos funksionojë në mënyrën e duhur. Gabime teknike, vonesa të aksioneve apo pasime të gabuara ishin shkaqet pse Italia e Mançinit u pa në vështirësi në takimin ndaj Polonisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"