ANALIZA/ Garanci në të dyja fazat e lojës, Milan nuk di të ndalet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 9:35

ANALIZA/ Garanci në të dyja fazat e lojës, Milan nuk di të ndalet

Nga gushti e deri më sot Milani nuk ka qenë kurrë kaq mirë. Fizikisht dhe mendërisht. Pas muajsh ulje-ngritjesh është gjetur edhe plani taktik. Vetëm dy gola të pësuar në pesë ndeshjet e fundit në Serinë A dhe një qëndrueshmëri e lakmueshme.

milan

Duke marrë parasysh rekordet e “Djalli” në kampionat dhe Kupë, Kalabria dhe shokët e tij kanë shënuar shtatë fitore radhazi, diçka që nuk kishte ndodhur që nga sezoni 2004-2005 me Ançelotin në krye. Asokohe ishin nëntë suksese radhazi. Nëse mbrojtja është rregulluar siç duhet, sulmi është në formën më të mirë. Treshja Pulisiç-Leao-Zhiru ka shënuar 40 gola në sezon. Dhe tani Çukvueze iu është bashkuar për të festuar gjithashtu, siç ka dëshmuar në daljet e fundit (Fiorentina dhe Leçe), aty ku ka rënë në sy për zellin e tij pavarësisht se nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës. Roma dhe Interi, ndeshjet e ardhshme të mëdha, do të jenë një provë e rëndësishme dhe siç duket kuqezinjtë që po dërgojnë mesazhe të qarta për kundërshtarët e tyre.

NË KËRKIM TË SUKSESIT – Viti 2024 i Milanit, më saktë rezultatet e javëve të fundit, e kanë rikthyer Stefano Piolin në qendër të vëmendjes, por në sensin më pozitiv të fjalës. “San Siro” i është rikthyer të brohorasë me bindje emrin e tij, falë edhe rezultateve që trajneri po arrin dhe duket se e bëjnë të meritojë një rinovim, i cili dukej më shumë se i pamundur deri pak kohë më parë. Sigurisht që angazhimet e theksuara më herët, pikërisht derbi dhe çerekfinalja e Ligës së Europës do të jenë vendimtare në këtë kuptim.

Ndërkohë, Pioli, i cili kishte meritën të mos dorëzohej kurrë në mes të kaq shumë kritikave, hoqi disa merake kur pas sfidës me Fiorentinë deklaroi hapur se e gjithë skuadra ka qenë përherë krah tij dhe se nuk ka ndierë kurrë pakësim besimi nga ana e tyre. Ndërkohë, grupit të mbështetësve i janë bashkuar hap pas hapi edhe drejtuesit, duke filluar nga Ibrahimoviçi deri te pronari Kardinale, që kanë shprehur hapur dëshirën e tyre për të vijuar bashkëpunimin. Madje edhe për ta zgjatur përtej kontratës që i skadon në qershor të vitit të ardhshëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"