Analiza e javës së 25-të/ Kreu mbetet i pandryshuar, tension në Berat pas humbjes me Luzin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2024 | 16:04

Analiza e javës së 25-të/ Kreu mbetet i pandryshuar, tension në Berat pas humbjes me Luzin

Përfundimet e javës së 25-të në Kategorinë e Parë kanë sjellë disa rrotacione në renditje, por kreu ka mbetur i pandryshuar, ku Elbasani për të dytën javë radhazi udhëheq i vetëm. Surprizat më të mëdha kanë ndodhur në pjesën e poshtëm të renditjes, ku padyshim Luzi me Mandelën dhe Trenin nuk ka të ndalur.

tomori luzi

Luznjakët arritën të shtunën në Berat të fitonin kundër një rivali direkt për mbijetesë. Falë fitores 2-1 kundër Tomorit, Luzi e shikon veten për herë të parë jashtë zonën së rënies direkte nga Kategoria e Parë. Ndërsa humbja në shtëpi kundër Luzit duket se i ka venitur shpresat e beratasve për mbijetesën, disfatë e cila ka sjellë edhe revoltën e tifozëve vendas kundër trajnerit Febron Ziu. Përveç hedhjeve të sendeve drejt pankinës së Tomorit dhe thirrjeve në kor për largimin e trajnerit Ziu, nuk kanë munguar as tentativat pas ndeshjes për të sulmuar “timonierin” e skuadrës beratase.

Vendin e Luzit në vendin e parafundit e kanë zënë fqinjët e Besës së Kavajës, ku edhe trajneri Bubeqi nuk arriti të shmangë humbjen në debutimin e tij kundër Bylisit, që më eurogolat e Ruçit dhe Trumçit mbetet në ndjekje të elbasanasve. Për ballshiotët rëndësi ka rikthimi te fitorja dhe çështja e titullit kampion duket se është një betejë e hapur mes skuadrës së drejtuar nga Arian Bellai dhe verdhebluve të trajnerit Nevil Dede. Elbasani ka bërë detyrën e shtëpisë kundër Burrelit, duke fituar në shifrat 3-0. Matjanët pas dy fitoreve radhazi, u frenuan në “Elbasan Arena” dhe janë parakaluar në renditje nga Lushnja, ndonëse kanë pikë të barabarta, 28, por lushnjarët kanë golavarazh më të mirë.

Flamurtari nuk ka arritur të shkojë më shumë se një barazim pa gola në shtëpi ndaj Lushnjës, ndonëse në drejtim u rikthye nga pezullimi nga trajneri Memushi. Gjithsesi, pika ka mjaftuar që vlonjatët të ngjiten të vetëm në vendin e tretë, kjo edhe falë humbjes së Vorës në shtëpi. Trajneri Endri Zjarri debutoi me humbje te Vora, ku në pjesën e dytë Kastrioti arriti që me tre gola, të përmbysë golin që Ntepe, i cili shënoi në fillim të pjesës së parë për vendësit e Vorës. Me këtë fitore Kastrioti shkon në kuotën e 26 pikëve duke u renditur i nënti, dy më pak sesa zona që të siguron mbijetesën pa ndeshje shtesë.

Ndërsa Vora mbetet e katërta dhe tashmë pret verdiktin e fazës “play off” për Superioren. Apolonia dhe Korabi kanë ndarë pikët në një ndeshje dramatike. Një ndeshje që i pati të gjitha, nga kartoni i kuq i portierit Harizaj dhe goli i barazimit që mbrojtësi Repaj shënoi për fierakët në inferioritet numerik në minutën e katërt shtesë. Edhe pas kësaj jave Apolonia dhe Korabi mbeten në të njëjtat pozita, konkretisht në kuotën e 36 pikëve ndajnë vendet pesë e gjashtë, por fierakët kanë golavarazh më të mirë.

formacione

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"