Allmuça flet si ish: Kukësi-Partizani pa favoritë, do të vendoset nga episodet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2018 | 15:03

Allmuça flet si ish: Kukësi-Partizani pa favoritë, do të vendoset nga episodet

Igli Allmuça, si ish-lojtar i dy ekipeve, nuk shikon të favorizuar në takimin e sotëm mes Kukësit dhe Partizanit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Allmuça, që aktualisht është trajner i Dinamos, pohoi se të dyja ekipet kanë lojtarë cilësorë, që mund ta zgjidhin këtë takim, i cili mund të vendoset nga episodet. Ai pohoi se të kuqtë duhet të vazhdojnë projektin me Dalipin trajner, si dhe preku çështjen “Skënderbeu” që indirekt zbukuroi kampionatin.

Allmuca Kukesi

Igli, si ish-lojtar i dy ekipeve, si e shikoni sfidën mes Kukësit dhe Partizanit, që vijnë pas një ecurie pozitive në javët e fundit?

Është një takim shumë i vështirë për të dyja ekipet. Si Kukësi dhe Partizani vijnë pas një ecurie pozitive, kështu që synimi i tyre është të ruajnë ritmin. Por, njëri do të ngecë. Të tria rezultatet janë në lojë në këtë takim, por them se barazimi nuk i bën punë asnjërit. Kukësi dhe Partizanin e duan fitoren, pasi synojnë vendin e dytë.

Sipas jush, cila skuadër është më e avantazhuar për të arritur fitoren në këtë takim?

Kukësi duhet të ishte më i avantazhuar, për faktin se luan në fushën e vet. Por, këtë sezon skuadra nuk ka pasur ecuri pozitive në shtëpi. Kukësi më shumë ka qenë dominues në transfertë sesa në shtëpi, pasi aty i ka më të shumtë hapat fals. Mbase këtu ka ndikuar edhe fusha, e cila nuk është në nivelet që pretendon skuadra. Unë i shikoj të dyja ekipet në kushte të barabarta për ta fituar ndeshjen e sotme.

Referuar përbërjes së lojtarëve, cili ekip është më cilësor?

Grupi i lojtarëve vlerësohet nga ajo që skuadra prodhon në fushën e lojës. Duke qenë se të dyja ekipet kanë prodhuar futboll të mirë në pjesën e dytë të sezonit, janë në kushte në barabarta sa u përket lojtarëve. Të dyja skuadrat kanë lojtarë cilësorë, që mund ta zgjidhin ndeshjen nga momenti në moment. Është një ndeshje që mund të zgjidhet nga episodet, jo se është një duel i rëndësishëm dhe skuadrat do të jenë të kujdesshme në fushë. Të dy trajnerët do të marrin masat për të bllokuar lojtarët kyç të njëri-tjetrit, por masat do të merren edhe duke iu referuar fushës së stadiumit të Kukësit që është me përmasa më të vogla. Ndaj, në të tilla fusha, episodet vendosin shumë.

aLLMUCA

Shikoni ndonjë lojtar të veçantë që mund ta zgjidhë këtë takim?

Këto ndeshje janë të paparashikueshme, ndaj nuk mund të thuash se kush mund ta zgjidhë. Trajnerët e dinë se kush janë pikat e forta të skuadrave respektive, ndaj do të mundohen që t’i bllokojnë ata. Lojtarët që bëjnë diferencën do të jenë gjithë kohës në markim të rreptë, por njëkohësisht synohet që të goditet kundërshtari në pikat e dobëta. Si ndeshje e paparashikueshme, zgjidhja mund të vijë nga çdo lojtar, nga mbrojtja deri në sulm. Të dyja ekipeve nuk u mungojnë lojtarë të tillë, pasi e kanë treguar veten të tre repartet.

Te Partizani është larguar një trajner me eksperiencë të gjatë si Starova dhe drejtimin e mori një teknik i ri si Klevis Dalipi. Si e vlerësoni këtë lëvizje që kanë bërë drejtuesit e kuq?

Këto janë çështje të brendshme të klubit, por Partizani po vuan pasojat e fillimit të sezonit dhe nga fundi ato bëhen të padurueshme, pasi nuk tolerohet asnjë humbje, madje edhe barazimet. Mendoj se ekipi ka ecur mjaft mirë me Dalipin. Është shumë pozitive që Partizani i ka besuar Klevis Dalipit. Zakonisht presidentët e marrin guximin kur nuk kanë çfarë të humbasin më, kështu që fatin e ekipit ia varin një trajneri të ri ose ndihmësit. Zakonisht nuk ia besojnë kur është fillimi i kampionatit, pasi kërkojnë trajner me përvojë. Në futboll çdo gjë matet me rezultate dhe ato i japin të drejtë Dalipit.

Nëse Partizani e arrin synimin në fund për të shkuar në Europë, a duhet që drejtuesit t’ia besojnë sërish ekipin Dalipit?

Nëse Partizani do të realizonte objektivat, do të ishte i padiskutueshëm vazhdimi i projektit me Dalipin, ndaj nuk duhet bërë kjo pyetje. Por, unë them se edhe nëse Partizani nuk i arrin objektivat, me futbollin që ka zhvilluar skuadra në këto javë, sërish duhet t’ia besonte drejtimin Dalipit. Pra, duhet pak guxim që në fillim, jo siç ndodhi këtë sezon. Kjo është thjesht ideja ime, pasi janë çështje që i takojnë së ardhmes dhe drejtuesve të Partizanit.

Mos ndoshta dënimi i rëndë që i erdhi Skënderbeut i dha një impuls më shumë kampionatit, pasi vendi i dytë ka marrë një trajtë tjetër tani?

Sigurisht që ka ndikuar, pasi kampionati sikur kishte rënë pak në gjumë. Tymnaja për dënimin e Skënderbeut ka vënë në lëvizje shumë ekipe, qoftë këta që luftojë për vendin e dytë, por edhe vendi i tetë ka luftë për një vend në Ligën e Europës.

Skënderbeu e fitoi dje një betejë në KAS, duke rikthyer titullin e 2016-ës. A është i ekzagjeruar pezullimi për 10 vite nga Europa?

Për Skënderbeun më vjen shumë keq, pasi atë që ka bërë në Europë nuk ia ka falur kush, por e ka me meritë. Atë që ka bërë Skënderbeu në gjithë këto vite i ka me shumë mundim dhe djersë. Do më vinte shumë keq ta pësonte, aq më shumë për një skuadër që ishte model, por e mira e këtij dënimi është se kampionatin në vitet e ardhshme mund ta fitonte një ekip tjetër.

Them kështu, pasi nëse Skënderbeu merr pjesë në Champions, unë e shikoj të vështirë që edhe sezonin tjetër t’ia marrë kush titullin kampion. Pra, pozitiviteti i këtij dënimi është që do të thyhet ajo monotoni që ka vendosur Skënderbeu me sundimin e tij në kampionatin tonë.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"