“Alarm” tek Vllaznia para Egnatias, tre lojtarë me virozë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 12:08

“Alarm” tek Vllaznia para Egnatias, tre lojtarë me virozë

Vllaznia është në alarm para ndeshjes me Egnatian, veçanërisht për qendrën e mbrojtjes. Në orët e fundit, tre lojtarë janë prekur nga një virozë e stinës dhe duke pasur temperaturë të lartë, nuk kanë mundur të stërviten, ndërsa kanë marrë mjekim në regjim shtrati.

vllaznia

“Panorama Sport” mëson nga burime pranë skuadrës, se mbrojtësit Millosh Stojanoviç dhe Gledjan Pusi, por edhe mesfushori Lorik Boshnjaku, kanë shfaqur gjendje gripale dhe nuk janë stërvitur me skuadrën. Kjo është shoqëruar me temperaturë dhe pamundësinë fizike për t’u stërvitur normalisht. Një situatë e tillë ka prishur jo pak planet e trajnerit Qatip Osmani para ndeshjes kundër kryesuesve rrogozhinas, që do të luhet nesër në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Stojanoviç dhe Boshnjaku janë dy titullarë të padiskutueshëm në mbrojtje dhe mesfushë, por edhe Pusi ka qenë gjithnjë një alternativë për formacionin, duke luajtur në qendër të prapavijës. Me kontingjentin që ka në dispozicion, kreu i pankinës ka nisur të marrë masa, duke menduar një plan B para Egnatias.

Nëse Stojanoviç dhe Pusi nuk ia dalin të jenë gati të shtunën, atëherë dyshja në qendër të mbrojtjes te Vllaznia do të përbëhet nga Juriç dhe Beci. Nga ana tjetër, mungesa e Boshnjakut në mesfushë, ka si kandidat potencial për ta zëvendësuar shkodranin Eslit Sala, i cili rikthehet nga pezullimi për kartonë. Mirëpo, Osmani ka edhe “xholin” Mala, pasi mund të përdorë këtë të fundit në mesfushë dhe rikthyer Çobën titullar në krahun e djathtë të sulmit. Ky i fundit shënoi golin e fitores kundër Teutës, duke u futur në fushë si zëvendësues dhe në prekjen e parë të topit, e dërgoi në rrjetë. Megjithatë, për të fiksuar formacionin do të pritet edhe seanca e fundit, që zhvillohet sot, me stafin që shpreson të marrë lajme të mira nga infermieria. Pas seancës së sotme, skuadra do të grumbullohet në një prej resorteve të qytetit të Shkodrës.

vll

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"