Ahmataj vijon me lëvizjet, formacioni i Tiranës gjithmonë me ndryshime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2019 | 20:45

Ahmataj vijon me lëvizjet, formacioni i Tiranës gjithmonë me ndryshime

Tirana nuk po luan me një formacion të njëjtë. Ardian Mema ishte nga ata që e ndryshonte shpeshherë formacionin. 

ahmataj tirana

Të njëjtin huq ka edhe trajneri aktual i Tiranës, Julian Ahmataj, i cili ka maninë për të ndryshuar shumë në skuadër. Nëse në dy ndeshjet e para nuk bëri lëvizje duke hedhur një formacion tip, në takimin e tretë ai ndryshoi disa lojtarë dhe pozicione në fushë, duke aktivizuar Imamin dhe Kalenë në fushën e lojës, ndoshta edhe i detyruar nga pezullimet.

Gjithsesi, nuk është e thënë, pasi këtë javë ai ka menduar të ndryshojë sërish 11-shen që do të luajë me Skënderbeun. Do të jenë pesë risi në skuadër, gjithmonë nëse Ahmataj aktivizon së bashku Torasën, Kalenë, Hasanin, Kërçikun dhe Hoxhallarin. Të gjithë këta futbollistë nuk kanë luajtur në sfidën e fundit të bardhebluve dhe kështu, pritet që të kemi një ndryshim rrënjësor për sa i përket sfidës së ditës së shtunë. Duket qartë se Ahmataj akoma nuk e ka gjetur formacionin fitues te Tirana, pasi veç fitores me Luftëtarin, ka lënë pikë me Vllazninë dhe Teutën si brenda dhe jashtë fushe.

421

STËRVITJA – Paradite Tirana ka vazhduar përgatitjet për sfidën me Skënderbeun. Skuadra ka qenë e plotë dhe nuk ka pasur asnjë lloj dëmtimi. Me grupin është bashkuar edhe Ernest Muçi, i vetmi që kishte mbetur me kombëtaret e moshave. Ahmataj ka ndarë skuadrën në dy grupe, ata që pritet të luajnë në Korçë dhe pjesa e rezervave.

Të dyja grupet kanë punuar si me trajnerin e parë Ahmataj dhe atë të dytë, Jakupin. Juli është parë autoritar në fushë, duke treguar se si do të pozicionohej skuadra në fushën e lojës. Në pjesën e fundit të përgatitjeve, ra në sy mungesa e Uinful Kobinës. Mesfushori la përgjysmë stërvitjen dhe u largua nga “Skënder Halili”. Mësohet se futbollisti duhet të merrte lejen e qëndrimit në Shqipëri dhe për këtë duhet të paraqitej në polici. Nga ana tjetër, Ahmataj, duke llogaritur mungesën e Kobinës, vendosi të ndryshonte formacionin me Ngonë si titullar në vend të afrikanit.

Gjithsesi, gjasat janë që anglezi të mos luajë, pasi Ahmataj kërkon të mos i japë pika referimi skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja. Grupi do të zhvillojë edhe sot një stërvitje dhe menjëherë do të largohet në drejtim të Korçës, ku do ta kalojë natën para sfidës me Skënderbeun.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"