Adrian Hadribeaj: Mesazhet ngacmuese në rrjetet sociale dhe xhelozia me bashkëshorten/ Rrëfehet kampioni shqiptar i MMA: Sporti më ka bërë të pasur dhe të famshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2022 | 20:43

Adrian Hadribeaj: Mesazhet ngacmuese në rrjetet sociale dhe xhelozia me bashkëshorten/ Rrëfehet kampioni shqiptar i MMA: Sporti më ka bërë të pasur dhe të famshëm

Pseudonimi i tij është “Shqiponja” dhe në arenat ndërkombëtare po korr një sukses të pashoq. Flasim për Adrian Hadribeaj që është shndërruar në një yll në sportin e MMA në SHBA dhe jo vetëm. Një tjetër çmim në karrierën e tij dhe një tjetër vlerësim që për të do të thotë një tjetër objektiv i ri për t’u arrirë. Në intervistën e dhënë për “Panorama”, ai zbulon këtë rrugëtim në sport, duke folur për herë të parë edhe për familjen. Raportet e xhelozisë me bashkëshorten, planet për pushimet në Karaibe, si dhe angazhimet në Amerikë si kampion sporti, por edhe si biznesmen i suksesshëm.

Sa vite u bënë që merreni me këtë sport, çfarë keni përfituar e çfarë keni humbur?

U bënë 10 vite që merrem me këtë sport dhe dua të them se jeta ime sportive ka qenë e kushtuar ndaj ekipit kombëtar të karatesë për 15 vite. Kam përfituar shumë, financiarisht shumë i kënaqur dhe ndihem krenar që jam shqiptar, kam humbur evenimente familjare, qejfet si çdo të ri, sepse sporti dëshiron disiplinë, sakrifica më e madhe për mua është familja.

Mendoni se e keni arritur suksesin e dëshiruar?

Suksesi për mua kurrë nuk do të ketë një arritje të dëshiruar, sepse unë gjithmonë jam: çfarë tjetër tani? Cili është synimi tjetër? Kjo më mban, frymëzimi dhe jeta e gjallë aktive. Por dua ta pranoj se jam shumë i kënaqur me arritje e mia, nuk be soja se do të arrija kaq lart. Por këtu në Amerikë, nuk e di për çfarë arsyeje, njeriu merr një vetëbesim të pamasë.

Pak ditë më parë jeni shpallur kampion, si është ndjenja, na thuaj?

Po, ishte një ndjenjë e bukur të rikthehesh kam pion për herë të dytë pas 7 vitesh që dola për herë të parë. U ndjeva sikur ishte hera e parë me emocione, pasi kisha një pauzë dyvjeçare rikthimi, mora një rrezik të madh që të ndeshem për kampion, por fitova, mora hapa të shpejtë tani në karrierë, duke kompensuar vitet e fundit që nuk isha aktiv.

Po famën?

Famën e kam dëshiruar gjithmonë dhe vjen duke u rritur përditë, duke më hapur dyert kudo. Dëshira ime është të influencoj këdo me sukseset dhe historitë e mia.

Kaq i ri ju thuajse keni arritur të gjitha ato që dëshironi, çfarë më tej Adrian?

Nuk e di, por unë gjithmonë kam kërkuar nga vetja për familjen, sportin, biznesin etj. Për momentin, pikësynim e kam të jem pjesë e organizimit më të madh në UFC ku jam ofruar dy herë të jem pjesë, njëherë kisha problem dokumentacionin dhe më pas kisha një operacion dhe isha jashtë ndeshjeve.

Me çfarë tjetër merreni në SHBA, krahas sportit, a keni ndonjë punë fikse a ndonjë biznes?

Po, kam një biznes personal familjar në industrinë e dritareve dhe kemi një shkollë të arteve marciale, si karate, MMA, ku mësoj fëmijët dhe të rriturit.

Keni gjithashtu një familje të mrekullueshme, një djalë dhe një vajzë, keni ndër mend ta zgjeroni akoma familjen?

Familja është gjëja më e rëndësishme dhe e vlefshme në jetën time. Ato më japin dëshirë dhe forcë për gjithçka, për momentin nuk kemi në plan, se po mundohemi t’i shijojmë sa më shumë, por nuk i dihet akoma.

Adrian, merrni edhe ju mesazhe ngacmuese nga fanset në rrjetet sociale?

Në rrjetet sociale jam munduar të jem serioz, profesional dhe familjar. Deri tani kam qenë shumë i respektuar dhe për këtë gjë jam shumë krenar, falënderoj gjithë mbështetësit e mi.

Ju si shqiptar nuk dyshoj, po nusja është xheloze, i lexon ndonjëherë?

Ne kemi një komunikim të mirë dhe respekt, nuk besoj se ka dashuri pa xhelozi brenda, kështu që ne të dy jemi.

A është kjo jeta juaj që e keni menduar gjithmonë?

Po, kjo është jeta dhe rrugëtimi im që vendosa të bëj vite më parë. S’e kisha menduar që të jem këtu ku jam sot mbas gjithë këtyre viteve, por me shumë punë dhe sakrificë, çdo gjë është e mundur.

Pushimet këtë vit ku do t’i kaloni?

Pushimet kemi në plan t’i bëjmë në Karaibe këtë verë, kishim kohë prej pandemisë dhe ishim të limituar.

  

 


PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"