Administratori Keçi konfirmon 9 afrime tek Erzeni: Teqja, në pikëpyetje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2019 | 17:38

Administratori Keçi konfirmon 9 afrime tek Erzeni: Teqja, në pikëpyetje

Altin Keçi sqaron dilemat e merkatos. Administratori i Erzenit konfirmon se aktualisht 9 lojtarë mund të konsiderohen të afruar dhe se 4 të tjerë janë të konfirmuar nga sezoni i kaluar. E megjithatë, ka edhe dilema dhe rasti konkret është ai i Mario Teqjes.

altin keci

Fakti që mbrojtësi 23-vjeçar po provohet në ekipe të tjera ka shqetësuar drejtuesit. Numri një i klubit të shijakasve thekson gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport” se deri në datën 15 korrik, organika do të jetë gati për të nisur nga puna për sezonin e ri.

“Erzeni do të jetë i kompletuar më 15 korrik. Kjo është data e përcaktuar për fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik. Megjithëse gjatë kësaj periudhe kemi kontaktuar mjaft lojtarë për të ndërtuar organikën, këtu përfshi jo vetëm ata që do të afrojmë, por edhe ata që i kishim në ekip në kampionatin e fundit, deri më tani mund të them se vetëm 9 futbollistë janë në planet e klubit. Për të qenë më konkretë, janë 3 ganezët, si dhe Dikson që e morëm nga Besa e Kavajës. Këta katër futbollistë do të jenë të strehuar në ambiente të përshtatshme me të filluar edhe stërvitja. Krahas tyre, është edhe mbrojtësi Biba, por edhe 5 të afruar nga të rinjtë. Sakaq, nga sezoni i kaluar, të konfirmuar janë: R.Troplini, Dragoshi, Ramilli dhe A.Kllari.

Ky i fundit ka vuajtur një dëmtim të gjatë, por tashmë është rikuperuar plotësisht. Mendoj se deri tani organika e Erzenit është e përberë nga 9 futbollistëdhe me pikëpyetje është Mario Teqja, i cili është në provë me skuadra të tjera, edhe pse nuk i deklaron. Po ashtu, mund të quhet i larguar Orjan Xhemalaj, i cili dimë që ka ikur te Teuta. Gjithsesi, koha është e mjaftueshme deri në mesin e muajit korrik për të konfiguruar afërsisht grupin që do të përfaqësojë shijakasit për edicionin 2019-2020”, përfundoi administratori i Erzenit, Altin Keçi.

Fiqiri Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"