Administratori Idrizi: Me Lelin e kam zgjidhur ngërçin, nuk i dua lekët për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2019 | 23:04

Administratori Idrizi: Me Lelin e kam zgjidhur ngërçin, nuk i dua lekët për…

Përtej vendimit që mund të marrë FSHF për licencim apo jo, Sinan Idrizi jep sinjale zgjidhjeje, por pa dhënë një rrugë konkrete se si do të “shpëtohet” Flamurtari nga gremina.

Sinan-Idrizi-Dritan-Leli-750x430

Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, administratori Idrizi zbulon se ka takuar dy ditë më parë në Tiranë kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, dhe bashkë kanë zhvilluar disa takime për zgjidhjen e çështjes. Idrizi theksoi se u zgjidh çështja e letrës që kërkonte nga Leli dhe do ta ketë në dorë për një ose dy ditë.

“Dje (pardje) patëm një takim me kryetarin e bashkisë, Dritan Leli. Ishim bashkë në Tiranë. Shkuam në kryeqytet, aty ku duhet të ishim dhe patëm takimin e radhës. Bëmë tri takime në një ditë me institucionet përkatëse, ku i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku. Tani do të fillojmë startin e kampionatit, me pak vonesë por… Megjithëse pritëm kaq kohë, unë gjej rastin ta falënderoj kryetarin e bashkisë, Dritan Leli. Të tjerat janë histori të tjera. Unë nuk kam bërë aktmarrëveshje me FSHF-në, sepse nuk kam marrëveshje me FSHF-në. Se si do të bëhet kjo, do ta shikoni tani.

Do të ketë një deklaratë nga FSHF-ja dhe nga gjithë këta të tjerët. Me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Leli, gjetëm një gjuhë që unë personalisht e quaj tashmë të ezuaruar problemin e letrës që kemi, atë përgjigjen që kërkonim ne për pjesën e transfertrave. Për një ose dy ditë letrën do ta kemi në dorë, për të tjerat është mirëkuptim i gjithanshëm dhe për të qëndruar në dispozicion të kësaj historie, si aset të shtetit”, u shpreh fillimisht Idrizi.

FONDET

Administratori Sinan Idrizi deklaron se sa të jetë në krye të Flamurtarit, nuk do të marrë asnjë dollar nga Bashkia e Vlorës. Idrizi thotë se FSHF-ja nuk u është përgjigjur letrave që i ka dërguar bashkia.

“Unë as kam kërkuar dhe as kërkoj ndihmë nga bashkia për Flamurtarin. Me të mirat apo me të këqijat, deri në fund do ta kem unë. Nuk kërkoj asnjë dollar nga taksat publike. Flamurtari është i vetmi ekip që nuk merr asnjë qindarkë publike dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Nuk do të ketë shanse që nga bashkia të kërkohet qoftë edhe një dollar. Edhe ato pagesa që kemi bërë ne, për histori të prapambetura edhe këto i zeroj, nuk i dua. Nuk dua që të më njohin detyrimet, pasi kur të dalë privatizimi, janë të detyruar që të m’i njohin. Këto para, që duket sikur kishin shkuar në vend të të tretëve kot, sepse nga bashkia vinte njoftimi që këto nuk janë të kontabilizuara. OK, edhe këtë nuk e dua. Dua këtë, që këta lekë kanë shkuar aty, janë paguar këta, sepse edhe FSHF-ja nuk u ka kthyer përgjigje letrave të bashkisë. Është një ngërç i madh. Unë, që të vija, duhet të deklaroja që këto fonde shkojnë në drejtim të duhur, jo të gabuar, pasi ndëshkohet kompania që i dërgonte. Kjo është një çështje e mbyllur tashmë. Besoj nuk do të flasim më për çështje lekësh te Flamurtari tani, por për futboll”, tha administratori.

LIGJI PËR SPORTIN

Idrizi përshëndet deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit në shtator miratohet ligji për sportet. “Kryeministri Rama e tha qartë dje (pardje) që ligji për sportin do të kalojë i pari në shtator. Në këtë vend është çudi e madhe. Tashmë Shqipëria do të jetë në një rrugë kapitaliste në rrugën e historisë së futbollit. Tani fillon starti dhe unë them për hajër na qoftë ky rrugëtim i futbollit shqiptar si ekonomi tashmë”, përfundon Idrizi.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"