636 minuta pa gol, “bomberi” Vlahoviç në rrezik edhe për Sportingun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2023 | 20:33

636 minuta pa gol, “bomberi” Vlahoviç në rrezik edhe për Sportingun

Po shënon një gol çdo dy ndeshje e gjysmë, ndërkohë që vitin e shkuar, në gjashtë muajt e tij të fundit te Fiorentina fluturonte me një mesatare prej 1 goli për ndeshje. Sport-Club Freiburg v Juventus: Round of 16 Leg Two - UEFA Europa League

Gjithsesi, sa më shumë kalojnë ndeshjet, tani duket më shumë sesa goli, problemi kryesor është ndërtimi i rasteve, i cili ka rënë në pikiatë, ndërsa në radhët e vjollcëve ishte 8.16 për ndeshje. Dhe sado që zëvendësi i Alegrit, Landuçi, pas ndeshjes me Lacion u shpreh se, “Dushan u ndihmua pak”, kur dikush është një futbollist i madh duhet të bëjë edhe lëvizjet e tij pa top që t’ia lehtësojë edhe më shumë pasimin shokëve të tij, për të arritur te goditja e portës rivale. Aktualisht, shifra është vërtet serioze: 636 minuta pa gol.

Pikërisht kaq kanë kaluar nga hera e fundit që 23-vjeçari ka shënuar në kampionat. Ishte minuta e 47-të e ndeshjes Salernitana-Juventusi, dita e dopietës madje të fundit të numrit 9 të bardhezinjve dhe minuta e 63-të e ndeshjes në stadiumin “Olimpiko”, kundër Lacios, ku ai u thirr në stol nga Masimiliano Alegri, sërish kokulur, madje edhe me shumë dhimbje në një kavilje e cila nuk e ka lejuar që të stërvitet as ditën e djeshme dhe për këtë arsye, është në dyshim për të enjten, për duelin me Sportingun. Pamja e fundit e Vlahoviçit është një goditje me kokë, lart mbi traversë, një pamje e dëshpëruar, nëse mendojmë se po flasim për të njëjtin futbollist, të cilit iu deshën vetëm 13 minuta për të gjetur golin e parë me bluzën e Juventusit, në debutim, kundër Veronës, në shkurt 2022.

Madje, është po ai lojtar të cilit iu deshën edhe vetëm 33 sekonda për golin e parë në debutimin në Champions, në transfertë kundër Vijarealit. Por pikërisht nga këto momente të bukura, Dushan është larg, shumë larg, duke qenë se numrat e tij tashmë qajnë. Ai ka shënuar 11 gola në 31 ndeshje sezonale, ose ndryshe një çdo 215 minuta lojë (një çdo dy ndeshje e gjysmë). Krahasimi me sezonin e kaluar është vërtet stratosferik, pasi numëronte 29 gola në 45 ndeshjes mes Juves dhe Fiorentinës, ose e thënë ndryshe, një gol çdo 127 minuta (një çdo një ndeshje e gjysmë). Por çfarë është më e trishtë lidhet me këtë vit 2023. Nëse në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar golat e tij ishin 9 në 21 ndeshje (një çdo 128 minuta), tashmë ato janë vetëm 3, një shifër kjo që tashmë po vë në dyshim jo vetëm drejtuesit e Juventusit, por edhe tifozët bardhezi, nëse vërtet ballkanasi e meritonte të gjithë shpenzimin e bërë nga “Zonja e Vjetër” dhe shpresat e mëdha që kishin ngritur të gjithë rreth tij.

Madje, në këtë sezon shumë të turbulluar të rekordmenëve italiane, qoftë brenda ashtu sikurse me çështjet jashtë fushe që kanë ndikuar edhe në renditje (penalizimi me 15 pikë, për çështjen e plusvalencave), njeriu që duhej të merrte peshë skuadrën papritur ka humbur nga horizonti, sepse as dy golat në Ligën e Europës, nuk ia shpëtojnë imazhin deri në këtë pikë të sezonit. Por nuk mbaron me kaq…

Sepse ky muaj prill është një ferr i vërtetë për Juventusin, duke qenë se do të do të kenë dy ndeshje jetike për fatin e sezonit me Sportingun e Lisbonës, të cilat mund të mbajnë gjallë shpresat për një kualifikim në Champions (në rast se fitojnë turneun), por ndërkohë përpara janë gjysmëfinalja e kthimit me Interin (e para në Torino përfundoi në barazim 1-1), apo akoma më tepër dueli me Napolin, me kampionët e ardhshëm të Italisë, të cilët duhet të provojnë t’i mundin për sedër, por mbi të gjitha për t’i dhënë gjithashtu një sinjal se sezonin e ardhshëm do të jetë një tjetër histori dhe mbi të gjitha, diferenca e sivjetshme nuk është ajo që tregon renditja e Serisë A. Por për të gjithë këto nevojitet edhe Vlahoviç, i cili sot pritet të marrë edhe diagnozën e stafit mjekësor, lidhur me problemin e tij në kavilje dhe kohën që duhet të qëndrojë jashtë fushe.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"