Agim Fagu, një “produkt” i Tiranës, që u bë idhull i tifozerisë së kuqe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2018 | 23:00

Agim Fagu, një “produkt” i Tiranës, që u bë idhull i tifozerisë së kuqe

I datëlindjes 1947, i diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, Gjuhë Shqipe, Anglisht, i përfunduar me rezultatet të larta. Karriera e tij sportive do të niste kur ishte nxënës në “Qemal Stafa”, nga klasa e shtatë deri kur mbaroi maturën, në vitin 1965.

agim fagu2

Në Spartakiadën e Pionierëve në Durrës në vitin 1961 përfaqëson qytetin e Tiranës në kërcim së gjati, stafetë 4×100. Është fëmijë vetëm 14 vjeç, luan mirë futboll dhe është kapiten i ekipit të futbollit të Qytetit të Tiranës në Spartakiadat në Durrës. Aty Bejkush Birçe interesohet që ta marrë me të rinjtë e shkollës “Skënderbej” e të Partizanit, por larg nga shkolla, shtëpia, nuk mund të shkojë.

Ndërkohë në “Qemal Stafa”, mësuesi i edukimit fizik, Zija Kondo, i cili kishte krijuar një skuadër me talente në basketboll, ndër të cilët 4 lojtarë të të rinjve të 17 Nëntorit, si B. Majko, R. Topalli, me të cilët Fagu luante te Parku i “Xha Tonit”, shpesh fshehurazi e pa lejen e prindërve. Në mars të vitit 1963, gjatë pushimeve semestrale zhvillohet kampionati në basketboll, midis te mesmeve, ku rivalizojnë “Qemal Stafa” nën patronazhin e 17 Nëntorit, “Sami Frashëri” i Partizanit me trajner Q. Shalsin dhe “P. Nini”, që i përkiste Dinamos. Turneu fitohet nga “Qemali” dhe drejtori i shkollës, Gaqo Marko, tifoz i “17 Nëntorit”, shprehet shumë entuziast pasi kishin mundur “Samiun” e Partizanit.

agim faguuu

Gjatë aktivitetit, Njaz Lleshi e sheh dhe e fton të shkojë te Partizani ku ai është trajner i të rinjve, por Fagu nuk reagon. Dy javë më vonë në Durrës është në program Kupa e Republikës me të rinjtë. Partizani sapo kishte krijuar një skuadër kryesisht me skënderbegas, ndërkohë që Njaz Lleshi ka takuar të atin, Besimin dhe i ka kërkuar aktivizimin e djalit me Partizanin. “Ora 1 e drekës… Isha nisur me motor triçikël fshurazi nga mamaja, pasi ajo e donte 3 herë shkollën… Libër, libër, libër pastaj sportin. Shofer ishte një gjimnast ushtar dhe në orën 14:00 isha në Durrës.

Në 10:00 ndeshja Partizani-Shkodra. Dola në nxehmje, por disa minuta para se të fillojë loja, k/gjyqtari thotë për mua ‘ai nuk lejohet të luajë, se është kontingjent i ’17 Nëntorit’ si shkollë dhe po u aktivizua do e humbisni 2- 0 ndeshjen’. Debaton Njazi me ato, por unë nuk luajta…”. Kthehet në Tiranë, i ati i interesuar e pyet: si shkoi? “Nuk luajta, – ishte përgjigjja, – ndërsa ai mendoi se trajneri nuk më kishte aktivizuar”, rrëfen Fagu për “Panorama Sport”. Në 07:00 të mëngjesit në zyrat e Komitetit Ekzekutiv takon Lame Konomin, i cili as nuk kishte asnjë dijeni për çështjen.

Dinte që Besimi ka një djalë që merret me sport dhe kaq. “Ai më dha një dokument që mund të luaja edhe me Partizanin dhe ora nga 13:00, sërish me triçikël u nisa për në Durrës. Partizani-Tirana ishte ndeshja, më kujtohen disa si K. Premti, V. Koleneci, nxënës të ‘Sami Frashërit’, me të cilët luaja për herë të parë ndërsa përballë kisha shokët e “Qemalit”. Fitoi Partizani me 11 pikë dhe unë realizova 33 pikë në ditën e parë të jetës sime. U çuditën të gjithë, as vetë nuk e besoja, mbi të gjithë babai”, thotë Fagu.

Ky do të ishte një moment i madh dhe i rëndësishëm kthese. Nuk ishte as 16-vjeç dhe i krijohet besimi se në sport duhet të bëjë diçka. Aktiviteti u mbyll dhe Partizani zuri vendin e dytë, pas Durrësit. Pas tre muajve, pranverë 1963, me ekipin e të rriturve të Partizanit ku janë edhe Shaka, Papa, Radoja, M. Përmeti, Hercek niset për një turne të skuadrave ushtarake në Kinë, Kore dhe kundërshtare midis mjaft skuadrave do të kenë edhe CSKA-në e Moskës, kampione e Europës. Turne që do të vijojë në Indonezi, Xhakarta ku do të veshë për herë të parë fanellën e kombëtares, për të qenë titullar kuqezi edhe në Ballkaniadë ’65. Sezoni 1966-67, Agim Fagu kryeson listën e shënuesve më të mirë të kampionatit me 441 pikë.

Tashmë, nuk ka asnjë diskutim, një yll po lind në basketbollin shqiptar, që shpejt do të shkëlqejë dhe një karrierë më shumë se brilante do ta shoqërojë: Kampion në dhjetë sezone me Partizanin, as njëzet vjeç “Mjeshtër i Merituar”, 9 herë fitues i anketës së “Sportit”, në pesëshen e 5 më të mëdhenjtë e sportit shqiptar, mbi 100 takime me klube dhe kombëtaren, kapiten i tyre. Pasi ka mbyllur karrierën si lojtar, fillon atë në Tregtinë e Jashtme, pas viteve 90-të deputet i parlamentit shqiptar, për shumë vite diplomat, ambasador në Britaninë e Madhe dhe president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"