54 vjet pa gol në shtëpi, por polaku Levandovski premton trofe te Barça

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 23:41

54 vjet pa gol në shtëpi, por polaku Levandovski premton trofe te Barça

Të gjithë në Barcelonë shpresonin në një nisje ndryshe të sezonit. Por katalanasit janë ndalur nga Vajekano në një barazim pa gola, madje duke rrezikuar dhe humbjen. Barazimi pa gola ka lënë një shije të hidhur te të gjithë, teksa pritshmëritë ishin shumë të mëdha, duke nisur nga trajneri Ksavi e deri te tifozi më i thjeshtë. Edhe më të mëdha ishin pritshmëritë duke parë fazën përgatitore të klubit dhe miqësoren e fundit para nisjes së kampionatit me fitoren 6-0 përballë Pumas së Meksikës. Me këtë barazim pa gola, Barça ka shënuar një rekord negativ.

LEVANDOVVSKI

Për herë të parë që nga sezoni 1968-1969, Barcelona e ka nisur sezonin në fushën e vet pa mundur të shënojë. 54 vjet më parë ishte Sociedadi që i ndalte në një barazim pa gola, teksa në fund të atij sezoni Barcelona e mbyllte në vendin e tretë. Hera tjetër që Barça e kishte nisur sezonin pa shënuar në fushën e vet ishte në sezonin 1939-1940, kur katalanasit mundeshin në derbi nga Espanjoli 0-1.

Por edhe pse nisja nuk ka qenë ajo e dëshiruara, sulmuesi i Barcelonës, Robert Levandovski, gjatë një interviste të dhënë për kanalin televiziv të La Ligës ka nënvizuar se llogaritë do të bëhen në fund dhe se skuadra do të kërkojë të kthehet patjetër te trofetë. Gjatë intervistës së tij, Levandovski ka folur edhe për çështje të tjera si vendimin për t’iu bashkuar katalanasve. “Kur mora vesh për herën e parë se Barcelona ishte e interesuar për të më bërë pjesë të sajën, menjëherë mendova se ky ishte momenti i duhur për të luajtur në një klub tjetër”, ka thënë Levandovski.

Sulmuesi polak i kushtoi plot 50 milionë euro Barcelonës, duke lënë pas 8 sezonesh Bajernin. Një eksperiencë e re, një sfidë e re ishin shtysat që çuan Levën drejt “Camp Nou”-t. “E kisha vendosur se nuk do të luaja vetëm me një kampionat gjatë gjithë jetës sime. Në Bundesligë gjithçka shkoi mirë, kam kaluar vite të shkëlqyera te Dortmundi e Bajerni, por e dija se kishte mbërritur momenti për të ndryshuar kampionat dhe për të bërë një hap tjetër në karrierën time. Ëndërroja të luaja në La Liga dhe po e bëj me Barçën”. Me Barçën ai dëshiron të fitojë të tjerë trofe.

“Të gjithë e nisim këtë sezon me dëshirën për të bërë diçka të mirë dhe uroj që në fund të sezonit t’u kemi dhuruar sadopak kënaqësi tifozëve tanë. Është e habitshme të shohësh Barcelonën të mbyllë një sezon si ai i kaluari pa fituar asnjë trofe. Ndaj, këtë vit do të jetë ndryshe, do të fitojmë patjetër një trofe”, tha Leva.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"