Tërhiqet nga presidenca Shkëmbi, Pogradeci “jetim” para Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2012 | 7:22

Tërhiqet nga presidenca Shkëmbi, Pogradeci “jetim” para Skënderbeut

Artan Shkëmbi nuk është më president i klubit të Pogradecit. Lajmin e konfirmoi dje për “Panorama Sport” vetë kryebashkiaku. I kontaktuar nga gazeta për të dhënë një koment në lidhje me ndeshjen ndaj Skënderbeut, Shkëmbi lëshoi “bombën” duke bërë të ditur se nuk është i angazhuar fare me skuadrën. I njohur si një nga kryebashkiakut që e do futbollin dhe, për më tepër, që ka investuar shumë në një klub si Pogradeci, duket disi e çuditshme për ta besuar këtë tërheqje. Mirëpo, është vetë Shkëmbi që sqaron gjithçka. “Kam kohë që nuk merrem me futbollin shqiptar. Në këtë periudhë unë thjesht u jam përmbajtur detyrimeve financiare që kam ndaj futbollistëve të Pogradecit. Më besoni, nuk jam i angazhuar fare, por e vërteta është se nuk e kam bërë publike tërheqjen time. Kam gati 10 javë që nuk prononcohem në asnjë prej mediave për sa i takon situatës në klubin e Pogradecit. Dua të saktësoj se unë kam hequr dorë thjesht nga futbolli shqiptar. Nuk kam ndjekur asnjë ndeshje të Pogradecit në këtë periudhë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se unë nuk e dua futbollin. Me kënaqësi mund të them se për herë të fundit kam qenë në stadium për të ndjekur ndeshjet e Ligës së Kampioneve, Barcelona- Çelsi dhe Real Madrid-Bajern Mynih. Kjo është e gjitha dhe kësisoj nuk mund të prononcohem për sfidën e radhës që ka Pogradeci. E përsëris, kam hequr dorë nga futbolli shqiptar”, – deklaroi kryebashkiaku.
Problemet – Klubi i Pogradecit, i rikthyer në Kategorinë Superiore gjatë këtij sezoni, pati objektiva minimalë, teksa synonte të mbijetonte në elitën e futbollit shqiptar. Pas një ecurie të mirë gjatë fazës së parë, klubi liqenor mori tatëpjetën në ndeshjen ndaj Teutës, e zhvilluar më 17 dhjetor të vitit 2011. Dënimi ekstrem i dhënë nga Komisioni i Disiplinës e detyroi skuadrën të luante në fushë asnjanëse pa tifozë. Pas revokimit të dënimit nga Apeli, Pogradeci u rikthye të luante në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, mirëpo tashmë rrezikon seriozisht mbijetesën. Gjatë kësaj periudhe kryebashkiaku Shkëmbi ka shigjetuar presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për vendimet ndaj Pogradecit.

Kur Shkëmbi akuzonte Dukën
Pas dënimit të Pogradecit me zhvillimin e ndeshjeve në fushë asnjanëse dhe pa spektatorë, si edhe zbritjen e 3 pikëve, kryebashkiaku Artan Shkëmbi akuzoi presidentin e FSHF-së, Armand Duka. “Ishte një vendim i pritshëm, pasi dënimi erdhi me urdhër nga vetë kreu i FSHF-së, i cili mbajti një qëndrim para mediave dy ditë para mbledhjes. Me deklaratën që bëri, Duka la të nënkuptohej se tani po na shikonte me sy të keq. Nuk mendoj se klubet e futbollit duhet të varen nga përshtypja personale që ka kreu i FSHF-së”, – pati thënë Shkëmbi në fundin e vitit të kaluar.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"