24 gushti i mallkuar, Agostineli: Ja pse nuk isha në formë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2016 | 16:01

24 gushti i mallkuar, Agostineli: Ja pse nuk isha në formë

Humbja kundër Kukësit në finalen e Superkupës së Shqipërisë natyrisht që ishte një disfatë për bardhekuqtë, por sigurisht një goditje tjetër edhe për trajnerin italian, i cili nuk ka qenë në gjendjen e tij më të mirë për të drejtuar ekipin në këtë takim.

Agostineli (1)

Nuk është një alibi kjo e nxjerrë nga Agostineli, por diçka e ndier dhe e vuajtur nga trajneri bardhekuq, i cili ka pranuar të zbulojë për “Panorama Sport” një detaj që ka të bëjë me jetën personale. 24 gushti nuk është një datë e thjeshtë për të. Madje, kjo ka qenë arsyeja që trajneri italian ka dashur të luhet kjo ndeshje në datën 27 dhe jo më 24.

Për vetë faktin se pikërisht në 24 gusht, dy vjet më parë, Andrea Agostineli ka humbur djalin e tij dhe pa dyshim që e ka vuajtur shumë edhe në finalen kundër Kukësit mungesën e të birit. Një gjë të tillë, Agostineli e ka bërë me dije për “Panorama Sport” gjatë një prononcimi të shkurtër në lidhje me këtë takim të humbur kundër Kukësit.

“Ka qenë një humbje që na ka djegur, për vetë faktin se ndonëse krijuam shumë raste për shënim, nuk arritëm të realizonim sa duhej, – theksoi fillimisht Agostineli duke treguar më pas se përse ato 90 minuta ai ndoshta nuk ka qenë ashtu siç duhej. – Nuk po kërkoj alibi, madje po u tregoj diçka personale.

djali i agostinelit

Xhanmarko, djali i vdekur i Andrea Agostinelit

Të mërkurën djemtë tim nuk patën edhe mbështetjen e plotë të trajnerit të tyre. Më vjen keq që po e them kështu, por nuk kisha forcën t’i drejtoja në fushë. Djemtë e mi nuk kanë pasur ndihmën maksimale të trajnerit të tyre, pasi pikërisht më 24 gusht, dy vite më parë, kam humbur djalin tim dhe e kisha të pamundur të mendoja për gjë tjetër në këtë ditë.

Nuk kam qenë i njëjti të mërkurë dhe është diçka që dukej. Kam qenë një person që nuk kishte forcën të gëzonte as për golin e Fukuit. Një gjë të tillë nuk ia kam thënë askujt, po jua tregoj vetëm juve. Ja përse isha i lumtur në fillim kur u tha që takimi do të luhej më 27 dhe jo më 24…”, theksoi trajneri i Skënderbeut.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"