Zuna paralajmëron ish-ekipin: Jam shumë i motivuar kundër Partizanit
Vora po vijon me përkushtim dhe me plot dëshirë përgatitjet për takimin e radhës, që do të zhvillojnë të dielën kundër Partizanit. Te të gjithë ka lindur dëshira për të marrë një rezultat pozitiv e për këtë po punohet shumë si në aspektin e përgatitjes fizike të lojtarëve po ashtu edhe në aspektin tekniko – taktik.

Deri në ditën e ndeshjes skuadra do të zhvillojë edhe dy seanca, ajo e sotme që do të jetë pas stërvitjes edhe një ndeshje kontrolli ku mund të tentohet për të nxjerrë dhe formacionin titullar e do të vijojë ditën e premte e të shtunë me nga një seancë të lehtë sa për të mbajtur formën.
Rikthimi i Zunës – Vora këtë herë do të jetë një skuadër me shumë alternativa për zgjedhjen e formacionit dhe detyrimisht ajo të shpenzojë të gjitha bateritë për t’ju larguar sa më shumë zonës së “playout” e për këtë i duhet fitorja ndaj demave.
Lajmi mirë është se një nga do të luaj këtë herë për Vorën. E rikthimi i Henri Zunës që erdhi nga Partizani tek Vora, do të sjellë më shumë forca në linjën e djathtë të mbrojtjes vorake. Zuna, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport” ai flet për situatën. “Jam shumë i motivuar për këtë ndeshje, kundër Partizanit pasi vij nga një pauzë ndeshjeje e aq më shumë që dikur kam qenë pjesë e tyre. Vora luan me kartën e fundit ndaj tyre e ajo është vetëm fitorja. Unë do të jap maksimumin për ekipin e Vorës dhe të sigurohem që të japim një paraqitje të fortë në fushë. E respektoj shumë kohën që kam kaluar tek klubi i të kuqve dhe me përvojën time, që mora te Partizani, dua ta shfrytëzoj për Vorën.
Tani fokusi im kryesor mbetet plotësisht suksesi i ekipit të Vorës. Triumf ndaj Partizanit në këtë ndeshje të parë të fazës së katërt, për ta nisur mbarë, pasi Vora këtë sezon ka synime të qarta e për këtë ne e dimë se ç’duhet të bëjmë. Shkallët e renditjes do të nisin të ringjiten, duke mundur fillimisht Partizanin e më pas të fitojmë edhe kundër Tiranës, së cilës ja kemi marrë dorën. Pozicionimi në vendin e 7-të do të vij sërish për ne dhe kjo do të jetë arritja më e suksesshme për një klub debutues si Vora”, ka përfunduar 22-vjeçari kryeqytetas që ka zhvilluar 22 ndeshje me Vorën dhe ka shënuar një gol gjatë këtij sezoni, Henri Zuna.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













