EKSKLUZIVE/ Zbardhet arsyeja e vendimit të FIFA-s kundër Skënderbeut. Gjithçka rreth gjobës dhe si ia dalin
FIFA ka dënuar Skënderbeun me 5,000 dollarë gjobë, bllokim të merkatos kombëtare dhe ndërkombëtare dhe pagesa shtesë prej 2.5% mbi disa kompensime formimi, pasi klubi ka dështuar për herë të dytë të kalojë kontrollin financiar dhe administrativ të “FIFA Clearing House”. Rasti i FIFA-s ndaj Skënderbeut nuk lidhet me borxhe ndaj lojtarëve apo klubeve, por me një problem administrativ-financiar shumë specifik:

Dështimin për të kaluar procesin e verifikimit (Compliance Assessment) pranë “FIFA Clearing House” (FCH), institucioni që menaxhon pagesat e kompensimeve të formimit dhe solidaritetit ndërmjet klubeve në transferimet ndërkombëtare. Përpara se një klub të kryejë ose të marrë këto pagesa, ai duhet të kalojë kontrollin financiar dhe ligjor që lidhet me: parandalimin e pastrimit të parave; luftën kundër korrupsionit; respektimin e sanksioneve ndërkombëtare; luftën kundër financimit të terrorizmit. Skënderbeu kishte dështuar një herë më parë në këtë proces dhe ishte ndëshkuar nga FIFA. Megjithatë, edhe pas këtij ndëshkimi, klubi nuk arriti të kalonte verifikimin e dytë, çka solli hapjen e një procedure të re disiplinore. FIFA thekson se nuk po gjykon nëse Skënderbeu është fajtor për pastrim parash apo shkelje të tjera financiare. Ajo po gjykon vetëm faktin se klubi nuk ka përmbushur kërkesat e procesit të verifikimit të “FIFA Clearing House”, gjë që sipas rregulloreve përbën shkelje. Një element që rëndoi pozitën e klubit ishte fakti se Skënderbeu nuk paraqiti asnjë mbrojtje apo shpjegim brenda afatit të dhënë nga FIFA. Më poshtë “Panorama Sport” ju paraqet se çfarë ka ndodhur me korçarët në FIFA.
ÇFARË KONSTATOI FIFA
Komiteti Disiplinor arriti në përfundimin se:
Skënderbeu kishte dështuar fillimisht në verifikimin e “FIFA Clearing House”. Më pas dështoi edhe në verifikimin e dytë. Për shkak të këtij dështimi, nuk mund të kryheshin pagesat e kompensimeve të formimit për klubet që kishin të drejtë t’i merrnin. Klubi kishte penguar funksionimin normal të sistemit financiar të “FIFA Clearing House”.
Vendimi i FIFA Clearing House është përfundimtar dhe nuk mund të rishikohet nga Komiteti Disiplinor.
PSE U DËNUA SKËNDERBEU
Shkaku kryesor është: Dështimi i dytë në procesin e “Compliance Assessment” (vlerësimi i pajtueshmërisë). Ky dështim lidhej fillimisht me transferimin e lojtarit: Sabastine Uche Great, i transferuar te Skënderbeu nga P Sports Football Academy. Për këtë transferim Skënderbeu duhej të paguante, 9,041.10 euro kompensim formimi.
Pas vendimit të parë disiplinor, FIFA konstatoi se Skënderbeu vazhdoi të ishte pjesë e shumë transaksioneve të tjera si klub blerës dhe si klub formues, pa e zgjidhur problemin e verifikimit.
VENDIMET PËRFUNDIMTARE TË FIFA-s
1. Skënderbeu shpallet fajtor
Klubi u shpall përgjegjës për: dështimin e parë në “Compliance Assessment”; dështimin e dytë në “Compliance Assessment”.
2. Gjobë prej 5,000 dollarësh FIFA vendosi:
5,000 USD gjobë financiare.
Kjo shumë duhet t’i paguhet FIFA-s.
3. Bllokim merkatoje
Skënderbeut i ndalohet:
regjistrimi i lojtarëve të rinj në Shqipëri;
regjistrimi i lojtarëve të rinj në arenën ndërkombëtare.
Pra klubi është nën “transfer ban” (bllokim merkatoje) kombëtar dhe ndërkombëtar.
4. Kur hiqet bllokimi?
Bllokimi nuk hiqet automatikisht. Ai do të hiqet vetëm nëse plotësohen njëkohësisht dy kushte:
– Skënderbeu kalon me sukses një verifikim të ri të “FIFA Clearing House”.
-Skënderbeu paguan gjobën prej 5,000 dollarësh.
Nëse mungon qoftë edhe njëri nga këto kushte, ndalimi vazhdon.
5. Qortim zyrtar (Reprimand)
Përveç gjobës dhe bllokimit të merkatos, FIFA i ka dhënë klubit edhe një: Qortim zyrtar disiplinor.
6. Pagesë shtesë prej 2.5%
Për tetë transferime të tjera, Skënderbeu duhet të paguajë edhe një tarifë shtesë prej: 2.5% të kompensimit të formimit për secilin rast.
Kjo tarifë do t’u kalojë klubeve përfituese përmes “FIFA Clearing House”. Ajo llogaritet mbi këto shuma:
Transferimi Shuma
Etien Noel Tare 32,495.18 €
Bismark Çarles Kuarena 56,136.99 €
Baba Hamadu Musa 9,123.29 €
Altin Ukiçi 1,803.28 €
Altin Ukiçi 28,203.45 €
Henrik Nerguti 51,174.04 €
Skerdi Xhixho 29,953.96 €
Salim Abubakar 10,163.93 €
ÇFARË RREZIKON SKËNDERBEU NËSE NUK E ZGJIDH SITUATËN?
FIFA e paralajmëron qartë klubin se: çdo dështim i ri mund të sjellë masa edhe më të rënda; mund të humbasë të drejtën për të marrë kompensime formimi dhe solidariteti në të ardhmen; mund të përballet me sanksione të tjera disiplinore.
PANORAMASPORT.AL













