Bajerni duhet të shesë, Kejn dhe Olise në fokusin e gjigantëve europianë
Një javë para fillimit të Kupës së Botës, Bajerni po kërkon afrimet e para në këtë afat kalimtar. Një lojtar ofensiv i gjithanshëm dhe një mbrojtës i majtë janë aktualisht prioritetet kryesore të klubit, ndërsa në të njëjtën kohë, klube me fuqi të madhe financiare po monitorojnë dy nga lojtarët më të rëndësishëm të bavarezëve. Bajerni është në mes të planifikimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm dhe po kërkon përforcime me përvojë.

Pas Antoni Gordon, i cili ishte tepër i shtrenjtë për Bajernin, si dhe Kenet Eihorn, transferimi i të cilit nuk mori mbështetjen e nevojshme brenda klubit, tashmë po zhvillohen bisedime me alternativa të tjera. Një kandidat për repartin ofensiv është Ismael Saibari i PSV Eindhoven. Bajerni po kërkon gjithashtu të forcoj pozicionin e mbrojtësit të majtë. Klubi nuk ka më besim të plotë te gjendja fizike e Alfonso Dejvis, pasi kanadezi konsiderohet shumë i prirur ndaj dëmtimeve.
Për këtë arsye, bavarezët po ndjekin Nathaniel Braun të Frankfurtit. Për të siguruar fondet e nevojshme për afrimin e Braun dhe një sulmuesi, drejtori sportiv Maks Eberl ka detyrën të largoj Zhoao Palinja, Sasha Boej, Brajan Zaragoza dhe Aleksander Nubel. Fakti që vetëm Nubel do të jetë portieri i tretë në Kupën e Botës nuk i ndihmon shumë mundësitë e shitjes së tyre. Për më tepër, Bajerni duhet të jetë i kujdesshëm këtë verë, pasi Kejn dhe Olise, dy liderët sportivë të sezonit të kaluar, kanë tërhequr vëmendjen e rivalëve ndërkombëtarë.
Kjo mund të shihet si komplimenti më i madh dhe vlerësimi më i lartë për paraqitjet e tyre. Ka kohë që Bajerni nuk ka pasur lojtarë kaq të kërkuar në futbollin botëror. Klube me burime të mëdha financiare po ndjekin situatën e kapitenit të Anglisë. Nëse Kejn nuk e zgjat kontratën e tij me bavarezët, e cila skadon në vitin 2027, këto klube shpresojnë ta transferojnë atë. Kohët e fundit kanë ekzistuar disa mospërputhje mes Kejn dhe Bajernit në lidhje me kushtet dhe kohëzgjatjen e kontratës së re.
Nuk përjashtohet mundësia që oferta shumë të majme të mbërrijnë për golashënuesin anglez gjatë ose pas Kupës së Botës, kur ai do të hyjë në vitin e fundit të kontratës. Interesimi i parë tashmë i është komunikuar përfaqësuesve të tij. Megjithatë, pasi sulmuesi i Bajernit nuk aktivizoi klauzolën e largimit në dimër, klubi gjerman aktualisht mban kontrollin e situatës.
KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL













