Junajtid konfirmon “spastrimet” e verës, nis puna për sezonin e ri
Junajtid ka zyrtarizuar largimin e tre lojtarëve të ekipit të parë pas përfundimit të kontratave të tyre me klubin. Xhejdon Sanço, Kasemiro dhe Malacia nuk do të jenë më pjesë e “Djajve të Kuq” nga sezoni i ardhshëm. Sanço iu bashkua skuadrës nga Borusia Dortmund në vitin 2021, ndërsa Kasemiro dhe Malacia mbërritën në “Old Trafford” gjatë verës së vitit 2022.

Të tre futbollistët kanë mbyllur kapitullin e tyre me klubin anglez pas disa sezoneve në fanellën e këtij ekipi. Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate zyrtare të publikuar nga Mançester Junajtid, ku klubi falënderoi lojtarët për kontributin e tyre dhe u uroi suksese në sfidat e ardhshme.
“Të gjithë në klub dëshirojnë të falënderojnë Kasemiron, Tajrel Malacian dhe Xhejdon Sançon për kontributin e tyre te Junajtid dhe t’u urojnë atyre çdo të mirë për të ardhmen”, thuhej në deklaratën e klubit. Mesazhi u shoqërua edhe me sloganin tradicional të Junajtid:
“Një herë i kuq, gjithmonë i kuq”, së bashku me fotografitë e tre futbollistëve. Përveç ndryshimeve në ekipin e parë, Junajtid konfirmoi edhe largimin e disa lojtarëve nga akademia, përfshi edhe Aljofri, Nolan dhe Sharp, të cilëve gjithashtu u kanë përfunduar kontratat me “Djajtë e Kuq”.
PANORAMASPORT.AL













