Kërcënimi për bombë, evakuohet stadiumi i finaleve
Një kërcënim i dyshuar për bombë detyroi autoritetet të evakuonin stadiumin “Hayward Field”, arenën ku do të zhvillohen Kampionatet Universitare të NCAA-së, që nisën të mërkurë në Oregon.

Megjithëse stadiumi u evakuua dhe mbeti i mbyllur gjatë gjithë ditës së martë, NCAA publikoi një komunikatë ku bëri të ditur se ekipet kishin marrë një program të rishikuar stërvitor për orët e paradites të së mërkurës, me qëllim kompensimin e kohës së humbur, pasi atletët nuk mundën të stërviteshin normalisht.
Organizatorët konfirmuan se gara do të zhvillohet sipas programit të parashikuar, pa asnjë ndryshim. Megjithatë, Departamenti i Policisë dhe Departamenti i Atletikës i Universitetit të Oregonit njoftuan se do të zbatojnë masa shtesë sigurie gjatë gjithë aktivitetit, si masë parandaluese, edhe pse nuk ekziston asnjë kërcënim i besueshëm për dhunë.
“Dëshirojmë të falënderojmë forcat lokale të rendit për reagimin e tyre të shpejtë dhe presim një kampionat të suksesshëm për studentëtatletë, trajnerët dhe tifozët”, thuhet në deklaratën e NCAA-së.
PANORAMASPORT.AL













