Pas Malës edhe një titullar i padiskutueshëm pranë ndarjes, sinjalet janë të qarta te Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2026 | 18:04

Pas Malës edhe një titullar i padiskutueshëm pranë ndarjes, sinjalet janë të qarta te Vllaznia

E ardhmja e Ardit Krymit te Vllaznia duket gjithnjë e më e paqartë. Prej disa ditësh në ambientin kuqeblu po diskutohet për një largim të mundshëm të mesfushorit, i cili pavarësisht se ka ende një vit kontratë aktive me klubin shkodran, shihet larg skuadrës në prag të sezonit të ri. Situata ka marrë zhvillime të rëndësishme dhe tashmë ndarja mes palëve duket më e mundshme se kurrë më parë. Sipas asaj që mëson “Panorama Sport”, një nga arsyet kryesore që ka sjellë këtë situatë lidhet me planet e stafit teknik për sezonin e ardhshëm.

KRYMI

Trajneri Edi Martini i ka komunikuar futbollistit se nuk e sheh si një titullar të padiskutueshëm në formacionin e Vllaznisë. Një mesazh që duket se nuk është pritur mirë nga ana e 29-vjeçarit, i cili prej vitesh ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës.

Krymi ka qenë një nga futbollistët më të qëndrueshëm të Vllaznisë në sezonet e fundit, duke mbajtur shpesh edhe shiritin e kapitenit dhe duke qenë një nga liderët e grupit. Për këtë arsye, ideja e një roli dytësor në projektin e ri teknik nuk duket se përputhet me ambiciet e mesfushorit, i cili dëshiron të vazhdojë të ketë një rol protagonisti në fushën e lojës. Në këto kushte, palët po afrohen gjithnjë e më shumë drejt një ndarjeje, edhe pse zyrtarisht nuk ka ende asnjë vendim përfundimtar.

Megjithatë, sinjalet e ditëve të fundit lënë të kuptohet se vazhdimi i bashkëpunimit nuk është më aq i sigurt sa mendohej vetëm pak javë më parë. Ndërkohë, interesimi për Krymin nuk mungon. Në kampionatin shqiptar ka disa skuadra që e vlerësojnë eksperiencën dhe cilësitë e tij, me Teutën dhe Tiranën që kanë shprehur simpati për ta afruar në gjirin e tyre. Nëse situata me Vllazninë shkon drejt zgjidhjes përfundimtare, atëherë mesfushori pritet të jetë një nga emrat më të lakuar të merkatos verore në Superiore.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL