ÇIKLIZËM/ Pogaçar kurorëzohet “Mbret”, fiton për herë të pestë Turin e Francës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2026 | 11:20

ÇIKLIZËM/ Pogaçar kurorëzohet “Mbret”, fiton për herë të pestë Turin e Francës

Në Paris uli dje siparin e Turit të Francës 2026, ku në qarkun me tri xhiro në Montmartre, Mathieu Van der Poel fitoi etapën e 21-të dhe të fundit të eventit. Tadej Pogaçar provoi të sulmonte edhe në fraksionin përmbyllës, por u mjaftua me kurorëzimin si fitues i Turit të Francës për herë të pestë në karrierë dhe për herë të tretë radhazi.454Richard Carapaz fitoi fanellën me pika si mbreti i maleve, Mads Pedersen siguroi fanellën e gjelbër si fitues i klasifikimit me pikë, ndërsa Isaac Del Toro u shpall çiklisti më i mirë i ri, duke fituar fanellën e bardhë. Vula e fundit e Turit të Francës 2026 mbajti firmën e Mathieu Van der Poel, fitues i etapës së 21-të. Fillimisht, sipas traditës, protagonistët shijuan momentet ceremoniale.

Në qendër të vëmendjes ishte skuadra UAE Emirates-XRG, që festoi jo vetëm suksesin e Tadej Pogaçarit, por edhe paraqitjen e shkëlqyer të Isaac Del Toros, fitues i fanellës së bardhë (i riu më i mirë) dhe i treti në renditjen e përgjithshme. Festë pati edhe për Lidl-Trek, skuadra më e mirë e garës, me kapitenin Mads Pedersen që fitoi klasifikimin e pikëve dhe fanellën e gjelbër. Ndërkohë, EF EducationEasyPost u gëzua falë Richard Carapaz, i cili, përveç dy fitoreve në etapa, siguroi edhe fanellën me pika si fitues i klasifikimit të ngjitjeve. Pas ceremonive nisi gara e vërtetë në tre xhirot e qarkut të Montmartre, që dhuruan spektakël deri në metrat e fundit.

Që në xhiron e parë, Pogaçar dhe Remco Evenepoel tentuan të krijonin diferencë në ngjitje, por grupi kryesor rezistoi. I njëjti skenar u përsërit edhe në xhiron parafundit, kur Pedersen, Evenepoel, Pogaçar dhe Van der Poel arritën të krijonin një avantazh prej rreth dhjetë sekondash. Edhe këtë herë, pelotoni i neutralizoi. Në kalimin e fundit ndodhi gjithçka. Pogaçar sulmoi sërish, por Van der Poel iu përgjigj menjëherë dhe më pas kundërsulmoi.

Të dy bashkëpunuan dhe ruajtën epërsinë deri në kilometrin e fundit, kur sprinterët u afruan me shpejtësi. Pogaçar nuk pati më forca për të vazhduar, ndërsa Van der Poel ngriti ritmin edhe një herë, u ngrit në pedale dhe arriti të parakalojë sprinterët, duke marrë një fitore spektakolare përpara shokut të skuadrës, Jasper Philipsen. Një ditë historike për Pogaçarin, i cili zyrtarisht fitoi Turin e Francës për herë të pestë, duke barazuar legjendat Eddy Merckx, Bernard Hinault, Miguel Indurain dhe Jacques Anquetil.01

PANORAMASPORT.AL