Çfarë zhgënjimi për futbollistin e Liverpulit! Dëmtohet para Botërorit dhe tërhiqet menjëherë përfundimisht nga ekipi kombëtar
Përfaqësuesja e Japonisë ka marrë një lajm të keq pak ditë para debutimit të saj në Botërorin 2026 ku do të luajë ndeshjen e parë përballë Holandës më datë 14 qershor.

Kapiteni i aziatikëve, ikona e futbollit të këtij vendi, Uataru Endo, ka bërë të ditur se nuk mund të marrë pjesë në aktivitet pasi nuk ka rikuperuar në kohë nga dëmtimi që pësoi pak kohë më parë. Futbollisti i Liverpulit ishte grumbulluar rregullisht me shokët e skuadrës duke tentuar të riaftësohej, por nuk ia doli në kohë.
Nëpërmjet një postimi ai bëri të ditur se tani do të ishte thjesht një tifoz i ekipit kombëtar, por jo vetëm për Botërorin.
“Me mbylljen e kësaj eksperience, kam vendosur të tërhiqem nga ekipi kombëtar. Nga sot e tutje do të mbështet Japoninë si një tifoz i thjeshtë. Jam i sigurt se do të vijë një ditë në të cilën përfaqësuesja e Japonisë do të fitojë Kupën e Botës. Ta besojmë të gjithë së bashku dhe të vazhdojmë ta mbështetim”, ishte mesazhi i Endo.
PANORAMASPORT.AL













