Identitet dhe lojë të bukur, receta e “Billit”: Ja trajneri tip për Milanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2026 | 22:01

Identitet dhe lojë të bukur, receta e “Billit”: Ja trajneri tip për Milanin

Milani pa shpirt i ditëve të sotme është shumë larg atij që vetëm pak dekada më parë mburrej me kampionë që kishin fituar më shumë trofe sesa kishin zhvilluar sezone. Alesandro “Billy” Kostakurta është një nga simbolet më të mëdha të historisë kuqezi: 21 vite me fanellën e Milanit, 23 trofe të fi tuar, 7 tituj kampion dhe 5 Champions League.

alesandro kostakurta

Një nga shtyllat e një skuadre që dominonte Italinë dhe Europën, ndërsa Milani aktual po has vështirësi edhe për të qenë konkurrues në kampionat.

Kostakurta, pas gati tre javësh, a e keni kuptuar çfarë solli rënien e Milanit në fund të sezonit?

Një ose dy ndeshje të gabuara mund të jenë rastësi, por dhjetë jo. Aq më tepër disa humbje në shtëpi, kur objektivi ishte ende i arritshëm. Ky është një tregues i qartë se diçka është prishur mes skuadrës dhe trajnerit. Faji është i të gjithëve, por për mua përgjegjësit kryesorë janë gjithmonë ata që zbresin në fushë. Nga jashtë më është krijuar përshtypja se është formuar një grup djemsh të mirë, por pa personalitetin e nevojshëm për të luftuar për objektiva të mëdhenj.

Si është e mundur që një trajner me përvojë si Maks Alegri të mos arrinte ta ndryshonte situatën?

Mendoj si Karlo Ançeloti, trajneri më i mirë nga të gjithë. Një trajner ndikon, por vetëm deri në një pikë, pastaj radha u takon lojtarëve. Madje do të bëja një dallim mes atyre që luajnë futboll dhe futbollistëve të vërtetë. Për të luajtur futboll duhet teknikë dhe Milani kishte mjaft cilësi. Por duhen edhe futbollistë në kuptimin e plotë të fjalës, brenda dhe jashtë fushës, njerëz si Rabiot apo Modriç.

Pas tyre ka boshllëk?

Ka episode që tregojnë karakterin e njeriut para se të tregojnë nivelin e profesionistit. Sa herë ka ndodhur që Manjan, kapiteni i skuadrës, të sjellë ekipin me vonesë në fushë, qoftë në fillim të ndeshjes apo në nisje të pjesës së dytë? Nëse është bërë me qëllim, është një sjellje e varfër. Nëse ka qenë pa dashje, është edhe më keq, sepse vetëm nervozon shokët dhe arbitrin. Kapiteni i Milanit duhet të jetë shembull stili dhe korrektësie. Detajet që bëjnë diferencën janë të tjera: përqendrimi, mbulimet, sakrifi ca. Të tjerat janë gjëra të kota.

Milani zgjodhi Alegrin për të nisur një cikël të ri pas dy trajnerëve të huaj pa sukses. Kujt do t’ia besonit rindërtimin?

Do të doja dikë që t’i vendoste disiplinë skuadrës, që të rikthente entuziazmin, lojën, vrapimin dhe identitetin. Unë do të investoja te dy liderë të rinj, djem 23-24 vjeç, të motivuar dhe të aftë për të krijuar energji të re. Dua të shoh ndeshje të luajtura me ritëm dhe agresivitet, diçka që te Milani mungon prej vitesh, ndërsa në pjesën tjetër të botës shihet vazhdimisht.

Do të doja një skuadër që nuk pret kundërshtarin, siç bëri këtë sezon, por që e detyron atë të gabojë. Gola mund të pësosh gjithsesi, por të paktën argëton dhe krijon identitet. Kjo është ajo që dua, një trajner me guxim dhe dëshirë për të ndërtuar.

Çfarë tjetër duhet për të ulur diferencën me rivalët për titull?

Jam optimist, ashtu si miku im Sandro Nesta. Duhen disa lojtarë që mund të bëjnë diferencën, një trajner me ide të qarta dhe një drejtues teknik që ka një strategji të mirëpërcaktuar. Sigurisht që duhet të bëhen zgjedhjet e duhura dhe duhet vullnet. Nuk po flas për emra konkretë, por më duket se që nga koha e Rangnik janë parë skuadra me një ide dhe organizim të qartë. Ndërsa Ibrahimoviç, ndryshe nga sa mendojnë shumë njerëz, nuk më duket se ka dëshirë të marrë një rol qendror. Përkundrazi.

Leao ka lënë të kuptohet se dëshiron një sfi dë të re. Do të ishte humbje apo çlirim për Milanin?

Për mua ka qenë gjithmonë gabim të konsiderohej lider. Ai është një lojtar i mirë, i aftë të ndizet me shkëndija, por jo një lider. Personalisht nuk e kam konsideruar kurrë kandidat për “Topin e Artë”. Kam luajtur me fi tues të atij niveli dhe ata janë një kategori krejt tjetër. Nëse largohet, Milani nuk po humbet as Kakan dhe as Shevçenkon.

Rafa nuk ka qenë kurrë një fenomen absolut, edhe pse ndoshta vetë ai ka menduar se ishte. Nëse ndryshon mendim, nëse pranë tij vijnë liderë të vërtetë dhe vendoset në kontekstin e duhur, atëherë mund të jetë shumë i dobishëm. Por duhet parë për atë që është, një lojtar shumë i mirë, jo ylli mbi të cilin ndërtohet skuadra.

Cilët lojtarë do të meritonin një mundësi tjetër?

Pulisiç ka kaluar gjashtë muaj shumë të dobët, por ka qenë gjithmonë një profesionist serioz. Nuk do ta gjykoja vetëm nga pjesa e dytë e sezonit. Shpresoj që Modriç të qëndrojë, në moshën e tij duhet menaxhuar, por kur luan ende jep leksione futbolli. Të njëjtën gjë shpresoj edhe për Rabiot, i cili është një forcë e natyrës. Bartesagi është shumë i ri dhe ka hapësira të mëdha për t’u rritur. Pavloviç është treguar i besueshëm. Nëse Menja lë mënjanë disa sjellje të panevojshme, mbetet një portier shumë i fortë, kur duhet të presë, pret. Gabia mund të qëndrojë, por pranë tij duhet një mbrojtës i nivelit të lartë. Po ashtu duhet një sulmues i madh qendre. Megjithatë e përsëris, gjithçka nis nga trajneri dhe drejtori teknik. Pjesa tjetër nuk kërkon revolucion.

A mund të rikuperohet shpejt diferenca me klubet më të forta?

Kjo varet nga objektivat. Nëse synimi është rikthimi në Champions League dhe qëndrimi i qëndrueshëm aty, atëherë po, nuk mungon shumë. Por nëse objektivi është të fi tosh sërish në Itali dhe Europë, atëherë do të duhen ende disa vite. Sot ka të paktën gjashtë apo shtatë skuadra më të forta, madje edhe më të forta se Interi.

PANORAMASPORT.AL