Stadiumi “Tomori” i pushtuar nga shkurret dhe pemët, impianti i vetëm në vend me përmasa olimpike në gjendje kritike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2026 | 18:25

Stadiumi “Tomori” i pushtuar nga shkurret dhe pemët, impianti i vetëm në vend me përmasa olimpike në gjendje kritike

Një situatë alarmante dhe e papranueshme paraqitet këtë verë në stadiumin “Tomori” të Beratit. Ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e kaluara, mungesa e kujdesit dhe e mirëmbajtjes ka bërë që impianti kryesor i futbollit beratas të përfshihet nga papastërtitë, barishtet dhe madje edhe pemët që po rriten brenda ambienteve të stadiumit.

STADIUMI I TOMORIT

 

Shkurret dhe bimësia e pakontrolluar kanë pushtuar shkallët e impiantit, veçanërisht në sektorin perëndimor, të njohur nga sportdashësit si pjesa e “Orës”. Situata bëhet edhe më problematike në hyrjet e stadiumit, ku portat janë pothuajse të bllokuara nga pemët dhe bimësia e dendur që ka zënë rrënjë prej vitesh, pa asnjë ndërhyrje për pastrimin dhe sistemimin e territorit. Për fat të keq, kjo pamje nuk është e re për qytetin e Beratit. Stadiumi “Tomori”, i inauguruar në maj të vitit 1985 dhe i konsideruar në atë kohë si një nga impiantet më moderne dhe më të bukura të vendit falë përmasave të tij olimpike, sot paraqitet në një gjendje që nuk i shkon aspak historisë së tij.

stadiumi berat 1 stadiumi berat 2

Për më shumë se një dekadë e gjysmë, ky stadium ka pritur jo vetëm ndeshje të rëndësishme të futbollit shqiptar, por edhe takime ndërkombëtare. Në këtë impiant ka luajtur Kombëtarja shqiptare në ndeshjen miqësore ndaj Kubës, ndërsa për shumë vite stadiumi i Beratit u konsiderua si “shtëpia” e përfaqësueses Shpresa. Edhe një vit më parë, “Panorama Sport” ngriti shqetësimin për gjendjen e stadiumit, duke evidentuar problemet e shumta që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Sportdashësit beratas e konsiderojnë të pajustifikueshme këtë situatë, sidomos kur mirëmbajtja e impiantit përbën një detyrim ligjor për klubin e futbollit. Nuk mund të ketë justifikime për një neglizhencë të tillë. Në organikën e klubit parashikohen punonjës të mirëmbajtjes së stadiumit, të cilët paguhen rregullisht edhe gjatë periudhës kur skuadra është në pushime.

stadiumi berat 3 stadiumi berat 4 stadiumi berat 5

Megjithatë, realiteti tregon se pastrimi i impiantit kryhet vetëm pak ditë përpara nisjes së kampionatit dhe, në shumë raste, me ndihmën e institucioneve të tjera në varësi të Bashkisë. Fotot që disponon “Panorama Sport” flasin vetë dhe nuk lënë shumë vend për arsyetime. Stadiumi “Tomori”, një nga asetet më të rëndësishme sportive të qytetit, ka nevojë për një ndërhyrje të menjëhershme, si në ambientet e brendshme ashtu edhe në ato të jashtme. Sportdashësit dhe qytetarët beratas presin reagim të shpejtë nga drejtuesit e klubit dhe institucionet përgjegjëse, në mënyrë që ky impiant historik të mos vazhdojë të degradohet nga dita në ditë.

stadiumi berat 6 stadiumi berat 7

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL