“Emri i klubit vlonjat nuk është për Kategorinë e Parë”, Shensoj josh Flamurtarin: Vlora meriton ekip Europe
Naxhi Shensoj është rikthyer në qendër të vëmendjes së Flamurtarit. Trajneri me origjinë nga Prizreni, i cili sapo mbylli me sukses aventurën e tij te Laçi, duke i rikthyer kurbinasit në Superiore si kampione e Kategorisë së Parë, është një nga emrat që po përflitet për stolin kuqezi në një moment kur vlonjatët vijojnë të jenë pa trajner.

Edhe pse nuk e ka drejtuar kurrë Flamurtarin, Shensoj ka qenë ndër dëshirat e drejtuesve vlonjatë edhe në të kaluarën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, tekniku me eksperiencë në Turqi, Azerbajxhan, Bullgari, Maqedoninë e Veriut, Arabinë Saudite dhe Serbi, e cilësoi Flamurtarin si një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Sipas tij, vlonjatët meritojnë jo vetëm rikthimin në elitë, por edhe ndërtimin e një projekti ambicioz që në të ardhmen t’i çojë në arenën europiane. Shensoj theksoi se futbolli është reklama më e madhe për një qytet turistik si Vlora dhe se një Flamurtar i fortë do të sillte përfitime jo vetëm sportive, por edhe për imazhin e qytetit.
Duke folur për rrugën që duhet të ndjekë Flamurtari për t’u rikthyer në Superiore, ai nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së boshtit të skuadrës, afrimit të lojtarëve cilësorë dhe zhvillimit të një përgatitjeje serioze sportive. Shensoj komentoi edhe kampionatin shqiptar, duke e cilësuar Superioren një garë interesante, por ngriti pikëpyetje mbi efektivitetin e formulës “Final Four”. Sipas tij, sistemi nuk ka prodhuar plotësisht rezultatet e pritshme, pasi në fund të sezonit është vënë re ulje e motivimit te disa skuadra dhe janë regjistruar rezultate surprizë. Ndërkohë, ai vlerësoi nivelin e Kategorisë së Parë, të cilën e konsideroi një kampionat shumë konkurrues dhe fizik.
Profesor, ku ndodheni aktualisht?
Pas pushimeve me familjen në Greqi, tani ndodhem në Stamboll, në qytetin ku jetoj prej më shumë se 40 vitesh.
Jeni i kënaqur me atë që arritët, duke e ngjitur Laçin në Superiore?
Po, për mua aventura te Laçi ishte një sfidë e vërtetë. S’kisha punuar më parë në Kategorinë e Parë dhe kjo përbënte një risk për karrierën time. Objektivi i vetëm ishte rikthimi në Superiore, por arritëm edhe të shpalleshim kampionë. Në një moment të sezonit, Skënderbeu kryesues na shkëputej me 11 pikë, por me një ecuri të jashtëzakonshme arritëm ta përmbysnim situatën. Fituam në Korçë dhe e mbyllëm kampionatin në vendin e parë. Në 24 ndeshje regjistruam 19 fitore dhe 5 barazime, pa asnjë humbje, me një mesatare prej 2.58 pikësh për ndeshje. Gjithashtu, vendosëm edhe rekordin e klubit me 13 fitore radhazi.
Do të ishit gati për një tjetër aventurë në Shqipëri?
Unë jam një trajner ndërkombëtar. Kam punuar në Turqi, Azerbajxhan, Bullgari, Maqedoninë e Veriut, Arabinë Saudite dhe Serbi. Kam fituar trofe dhe kam drejtuar skuadra në nivele të larta, ndërsa prej vitit 2009 zotëroj licencën UEFA Pro. Aktualisht po shqyrtoj oferta nga Turqia dhe Azerbajxhani, pasi kushtet sportive dhe financiare atje janë më të favorshme. Kam pasur edhe një ofertë nga një skuadër serioze e Kategorisë së Parë në Shqipëri, por nuk e kam pranuar.
Flamurtari është pa trajner dhe emri juaj po përflitet për stolin kuqezi. Nëse do të vinte një ofertë konkrete, si do ta prisnit?
Siç e thashë, jam profesionist. Flamurtari është një klub që meriton respekt të madh. Vlonjatët nuk duhet të kënaqen vetëm me rikthimin në Superiore, por duhet të synojnë pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Vlora është një qytet i mrekullueshëm turistik dhe futbolli është reklama më e mirë për ta promovuar atë. Mjafton të shohim shembujt e Antalias dhe Alanias në Turqi që promovojnë turzimin, apo Karabagun në Azerbajxhan, duke i mbushur mendjen Botës se ai territor nuk i përket Armenisë. Kjo tregon ndikimin që ka sporti në promovimin e një qyteti apo rajoni.
Si mund të rikthehet Flamurtari në Superiore?
Kur një skuadër bie nga kategoria, krijohet pakënaqësi dhe bie morali sportiv. Edhe tifozët ndikohen negativisht. Prandaj detyra e parë e drejtuesve është t’u rikthejnë besimin tifozëve dhe të tregojnë se objektivi i vetëm është rikthimi në elitë. Kjo nuk bëhet vetëm me fjalë. Duhet ruajtur boshti i ekipit, duhen bërë përforcime cilësore dhe duhet një përgatitje serioze. Laçi është shembulli më i mirë se si mund të realizohet ky objektiv.
Si e vlerësoni garën në Kategorinë Superiore?
Kampionati ishte interesant. Kur e krahasoj me sistemin e mëparshëm, mendoj se “Final 4” nuk e arriti plotësisht qëllimin për të cilin u krijua. Në fund të sezonit motivimi i disa skuadrave nuk ishte në nivelin e duhur dhe pati rezultate të papritura. Për këtë arsye, sistemi duhet analizuar me kujdes për të parë nëse është realisht pozitiv për futbollin shqiptar. Gjithsesi, përgëzoj Egnatian për suksesin e arritur.
Po Kategorinë e Parë si e shihni?
Kategoria e Parë ishte një sfidë e madhe për mua. E nisëm me fitore ndaj Lushnjës, por më pas erdhën katër barazime radhazi. Me kalimin e kohës lojtarët u përshtatën me filozofinë tonë të lojës dhe rezultatet nisën të vinin. Përgatitja e shkëlqyer gjatë janarit ishte vendimtare për arritjen e objektivave. Mund të them se në të Parën luhet futboll shumë më fizik dhe agresiv sesa në Superiore, ndaj edhe përzgjedhja e lojtarëve duhet të bëhet duke pasur parasysh këtë realitet.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













