Shihet si një nga trajnerit e rinj më premtues, klubi i Serisë A vendos “bastin” e radhës
Klubi i Sasuolos në këto vite në elite, ka kaluar në pankinë shumë trajnerë të rinj të cilët kanë bërë emër e më pas janë konfirmuar edhe me klube të tjera italiane apo edhe në tregun e huaj. Roberto De Zerbi, Alesio Dionisi dhe Fabio Groso janë vetëm tre prej tyre, ndërsa tani klubi ka hedhur “bastin” e radhës.

Sasuolo njoftoi zyrtarisht emërimin e Alberto Akuilanit si trajneri i ri i skuadrës, pas larigmit të Fabio Groso i cili mori drejtimin e Fiorentinës pak ditë më parë.
Ish-mesfushori i njohur italian, ka qenë trajner në akademinë e Fiorentinës duke e kthyer në një nga më të suksesshmet në Itali me ekipin e të rinjve, duke fituar për tre edicione Kupën e Italisë. Më pas ai kaloi si trajner te Piza e më pas te Katanazaro në Serinë B. Me këtë të fundit, arriti të shkonte në play-off duke siguruar vendin e katërt në renditje. Ai nuk ia doli të mposhte Monzën në play-off me të dy ndeshjet që u mbyllën barazim dhe me rivalët që u ngjitën në Serinë A vetëm falë pozicionimit më të mirë në kampionatin e rregullt.
Tani Akuilani do të ketë mundësinë të drejtojë në Serinë A në një klub i cili ka bërë mjaft mirë në elitë. Ai do të gjejë në radhët e Sasulos, ku për një edicion ka qenë lojtar, edhe ish-shokun e tij të skuadrës në atë periudhë, Domeniko Berardi.
PANORAMASPORT.AL













