Ekskluzive/ Dështoi dy herë për të bindur FIFA-n. Bllokimi i merkatos së Kastriotit nuk lidhet me borxhe, por…
Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka marrë vendim ndaj klubit Klubi Sportiv Kastrioti Krujë pasi ky i fundit dështoi për herë të dytë të kalojë procedurën e verifikimit të përputhshmërisë (Compliance Assessment) pranë “FIFA Clearing House” (FCH). Çështja lidhet me pagesat e kompensimeve të formimit dhe solidaritetit për disa transferime lojtarësh.

Sipas FIFA-s, Kastrioti kishte dështuar më parë në këtë proces dhe ishte ndëshkuar, por edhe pas vendimit të parë nuk arriti të përmbushte kërkesat e verifikimit financiar. “FIFA Clearing House” konstatoi se klubi nuk kaloi sërish kontrollin e nevojshëm, i cili shërben për të garantuar respektimin e rregullave ndërkombëtare kundër pastrimit të parave, korrupsionit, financimit të terrorizmit dhe shkeljeve të tjera financiare. Pas njoftimeve zyrtare dhe mungesës së një përgjigjeje nga Kastrioti brenda afatit të caktuar, çështja iu referua Komitetit Disiplinor të FIFA-s. Komiteti theksoi se nuk ka kompetencë të rishikojë vendimin teknik të “FIFA Clearing House”, por vetëm të vendosë sanksionet e parashikuara në rregullore. Duke qenë se bëhet fjalë për një shkelje të përsëritur, FIFA e konsideroi rastin serioz dhe vendosi masa disiplinore shtesë.
Vendimet e marra
-Kastrioti u shpall fajtor për dështimin në kalimin e procedurave të verifikimit pranë “FIFA Clearing House”.
-Klubi mori një qortim zyrtar (reprimand).
-U gjobit me 3.000 dollarë amerikanë.
-Iu vendos ndalim i regjistrimit të lojtarëve të rinj, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Ndalimi i merkatos do të hiqet vetëm kur:
“FIFA Clearing House” të konfirmojë se klubi ka kaluar me sukses një verifikim të ri të përputhshmërisë.
-Të jetë shlyer plotësisht gjoba prej 3.000 dollarësh ndaj FIFA-s.
Në praktikë, Kastrioti nuk mund të afrojë lojtarë të rinj derisa të zgjidhë problemet me procedurat e verifikimit financiar dhe të paguajë gjobën e vendosur nga FIFA.
Detaje nga çështja e Kastriotit
Më 29 mars 2026, “FIFA Clearing House” njoftoi Kastriotin se kishte dështuar përsëri në procesin e verifikimit të përputhshmërisë sipas nenit 15 të “FCHR”. Klubi u informua se çështja do t’i kalonte Sekretariatit të Përgjithshëm të FIFA-s dhe se mund të përballej me procedura disiplinore sipas nenit 17 të “FCHR”. Më 20 maj 2026, Sekretariati i Përgjithshëm i FIFA-s e njoftoi zyrtarisht Kastriotin se kishte dështuar në verifikim, duke shkelur nenin 16 të “FCHR”. Si pasojë, çështja iu referua Komitetit Disiplinor. Gjithashtu, klubi u paralajmërua se shkeljet e mëparshme mund të konsideroheshin si rrethana rënduese dhe se komunikimet e ardhshme do të kryheshin përmes “FIFA Legal Portal”.
Në bazë të këtyre fakteve dhe sipas nenit 55 të Kodit Disiplinor të FIFA-s, së bashku me nenin 17.8 të “FCHR”, Sekretariati i Komitetit Disiplinor hapi procedurë disiplinore ndaj Kastriotit më 21 maj 2026 për dështimin e dytë në kalimin e verifikimit të përputhshmërisë. Klubit iu dhanë tre ditë afat për të paraqitur mbrojtjen e tij dhe u informua se pas përfundimit të afatit çështja do t’i kalonte Komitetit për vendimmarrje. Kastrioti nuk paraqiti asnjë përgjigje brenda afatit të caktuar. Më 27 maj 2026, Komiteti Disiplinor mori vendimin përfundimtar dhe ia komunikoi atë klubit po në të njëjtën ditë, së bashku me arsyetimin përkatës.
PANORAMASPORT.AL













