ATLETIKË/ Vllaznia feston 30 tituj, Mema e Gega më të mirët e Kampionatit Kombëtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2026 | 11:57

ATLETIKË/ Vllaznia feston 30 tituj, Mema e Gega më të mirët e Kampionatit Kombëtar

Me pjesëmarrjen e rreth 150 sportistëve nga 12 ekipe, u zhvillua Kampionati i 88-të Kombëtar i Atletikës, aktiviteti më i rëndësishëm i sezonit për mbretëreshën e sportit në vend.

Foto: F. Hazisllari

Foto: F. Hazisllari

Gjatë dy ditëve të garave në Elbasan pati rivalitet, rezultate cilësore dhe konfirmimin e emrave më të mirë të këtij sporti. Në renditjen ekipore, Vllaznia u shpall kampione e Shqipërisë për meshkuj, ndërsa Tirana dominoi garën e femrave. Suksesi i skuadrës shkodrane mori një rëndësi të veçantë historike, pasi kuqeblutë fituan titullin e 30-të kampion, duke kaluar Partizanin që numëronte 29 tituj kombëtarë. Njëkohësisht, ky ishte edhe titulli i 18-të radhazi për Vllazninë, një seri e jashtëzakonshme që dëshmon dominimin me meshkujt.

Për këtë arritje historike, Federata Shqiptare e Atletikës i akordoi klubit një çmim të posaçëm vlerësimi. Në ceremoninë përmbyllëse u vlerësuan edhe atletët më të mirë të aktivitetit. Markelo Mema i Tiranës u shpall sportisti më i mirë me 1116 pikë, ndërsa Luiza Gega u vlerësua si atletja më e mirë me 1129 pikë, duke konfirmuar edhe një herë nivelin e saj të lartë.

REZULTATET – Kampionati solli konkurrencë të fortë në të gjitha disiplinat. Në sprintin e 100 metrave fituan Endri Rrakaj (Vllaznia) dhe Phoebe Mustafaraj (Tirana), ndërsa në 200 metra triumfuan Franko Burraj (Vllaznia) dhe Iljana Beqiri (Tirana). Burraj ishte protagonist edhe në 400 metra, ku fitoi me kohën 46.45 sekonda, ndërsa te femrat në këtë disiplinë triumfoi sërish Beqiri.

Në garat e mesme, Sidrit Kopliku i Vllaznisë fitoi 800 dhe 1500 metrat, ndërsa te femrat fituese dolën Relaksa Dauti dhe Kristina Pura. Në distancat e gjata spikatën David Nikolli, fitues i 5000 dhe 10000 metrave për meshkuj, si dhe Redia Dauti, fituese e 3000 dhe 5000 metrave për femra. Një paraqitje shumë të mirë zhvilloi edhe Luiza Gega, e cila fitoi garën e 3000 metrave me pengesa dhe atë të 10000 metrave.

Në disiplinat e hedhjeve u dallua Markelo Mema, fitues në hedhjen e çekiçit me 74.37 metra, ndërsa Yipsi Moreno triumfoi në hedhjen e gjyles dhe çekiçit për femra. Në hedhjen e diskut fitoi Admir Dizdari, ndërsa në shtizë më të mirët rezultuan Besmir Ustalli dhe Mei Sokoli.

Në kërcime spikatën Muhamet Çengeli në kërcimin së gjati, Milen Caco në kërcimin së larti dhe Kolindo Kiri në trehapësh, ndërsa te femrat fituese dolën Erisa Rrasa, Rexhina Berami dhe Antonita Curri.

Në garat me pengesa u dallua Durjon Idrizaj, fitues në 110 dhe 400 metra me pengesa për meshkuj, ndërsa te femrat triumfoi Livia Topi në 400 metra me pengesa.

Në ecjen sportive fituan Bledar Mesi dhe Ejona Cufe, ndërsa në stafetat 4×100 metra triumfuan Vllaznia për meshkuj dhe Tirana për femra. Në 4×400 metra fituese për meshkuj ishte Skënderbeu, ndërsa te femrat sërish Tirana.

KAMPIONATI I 88-TË KOMBËTAR I ATLETIKËS

REZULTATET

110/100 m/p
Durjon Idrizaj (Vllaznia) 15.44
Rexhina Berami (Partizani) 15.10

100 m
Endri Rrakaj (Vllaznia) 11.03
Phoebe Mustafaraj (Tirana) 12.54

800 m
Sidrit Kopliku (Vllaznia) 2.01.11
Relaksa Dauti (Tirana) 2.11.30

200 m
Franko Burraj (Vllaznia) 21.23
Iljana Beqiri (Tirana) 25.48

400 m
Franko Burraj (Vllaznia) 46.45
Iliana Beqiri (Tirana) 55.89

400 m/p
Durjon Idrizaj (Vllaznia) 56.78
Livia Topi (Skënderbeu) 1.01.16

1500 m
Sidrit Kopliku (Vllaznia) 4.15.07
Kristina Pura (Tirana) 4.52.91

3000 m
Redon Goskova (Partizani) 9.52.26
Redia Dauti (Tirana) 10.02.88

3000 m/p
Ilir Këllëzi (Skënderbeu) 12.09.52
Luiza Gega (Tirana) 9.46.01

5000 m
David Nikolli (Partizani) 15.05.86
Redia Dauti (Tirana) 17.30.36

10000 m
David Nikolli (Partizani) 31.40.93
Luiza Gega (Tirana) 35.52.34

DISK
Admir Dizdari (Teuta) 40.13

SHTIZË
Besmir Ustalli (Tirana) 48.88
Mei Sokoli (Partizani) 34.60

KËRCIM SË GJATI
Muhamet Çengeli (Vllaznia) 7.71
Erisa Rrasa (Vllaznia) 5.50

GJYLE
Azgan Zeka (Teuta) 13.96
Yipsi Moreno (Tirana) 11.05

ÇEKIÇ
Markelo Mema (Tirana) 74.37
Yipsi Moreno (Tirana) 62.66

KËRCIM SË LARTI
Milen Caco (Skënderbeu) 1.95
Rexhina Berami (Partizani) 1.55

3 HAPËSH
Kolindo Kiri (Vllaznia) 13.38
Antonita Curri (Fortius) 11.77

ECJE SPORTIVE
Bledar Mesi (Tirana) 25.28.06
Ejona Cufe (Tirana) 27.45.65

4×100
Vllaznia 41.69 (Meshkuj)
Tirana 47.44 (Femra)

4×400
Skënderbeu 3.26.67 (meshkuj)
Tirana 3.55.94 (femra)

ATLETËT MË TË MIRË
Markelo Mema (Tirana) 1116 pikë
Luiza Gega (Tirana) 1129 pikë

EKIPET MË TË MIRA
VLLAZNIA 167 pikë (meshkuj)
TIRANA 227 pikë (femra)

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL