VIDEO/ Nga Shakira te J Balvin dhe Boçeli, Kupa e Botës nisi me spektakël në “Azteca”
Me një koreografi mbresëlënëse dhe plot ngjyra, është hapur zyrtarisht ceremonia e Botërorit 2026 në stadiumin legjendar “Azteka” në Meksiko Siti. Spektakli nisi me një top të artë në mes të fushës, i cili më pas u shndërrua në një Kupë Bote gjigante, ndërsa balerinët me kostume tradicionale sollën në skenë historinë dhe kulturën mijëravjeçare të Meksikës.

Performancat – Në skenë u ngjitën artistë të njohur ndërkombëtarë dhe vendas. Grupi rock meksikan Maná hapi performancat muzikore, duke ndezur atmosferën dhe duke bërë publikun prej 80 mijë spektatorësh të këndojë në kor.
Më pas erdhi momenti i madh i mbrëmjes. Një ovacion i fuqishëm për Shakira, e cila interpretoi këngën e Botërorit “Dai Dai” së bashku me Burna Boy, duke elektrizuar stadiumin. Spektakli vazhdoi edhe me hyrjen plot stil të J Balvin, i cili u shfaq me një outfit shumëngjyrësh dhe një hyrje dramatike me makinë, duke sjellë energji të lartë në skenë.
SHIH VIDEON
Në një tjetër moment kulmor, Andrea Boçeli, së bashku me David Guetta dhe EJAE, interpretuan himnin “DNA (More Than A Game)”. Publiku ndriçoi stadiumin me telefonat celularë, ndërsa Boçeli këndoi edhe në italisht vargje emocionuese që u duartrokitën fuqishëm.
SHIH VIDEON
Ceremonia mori një dimension zyrtar kur presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, prezantoi trofeun e Kupës së Botës dhe shpalli hapjen e turneut së bashku me aktoren meksikane Salma Hajek.
Në atë moment u ndezën edhe fishekzjarrët që shënuan fillimin e garës më të madhe të futbollit. Ceremonia në Azteka, një nga stadiumet më historike të futbollit botëror, u mbyll mes emocioneve të mëdha dhe pritjes së ndeshjes hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Ndërkohë jashtë stadiumit u raportuan edhe protesta nga grupe që kërkonin vëmendje për çështjen e personave të zhdukur në vend.
PANORAMASPORT.AL













