Presioni bëri efekt, Uimbëlldoni rrit 20% shpërblimet për tenistët
Pas kërkesave të lojtarëve për shpërblime më të larta në turnetë Grand Slam, organizatorët e Uimbëlldonit kanë vendosur të rrisin fondin total të çmimeve me 20%, duke arritur një rekord historik prej 74.4 milionë eurosh. Rritja u njoftua dje nga organizatorët e turneut londinez, pas presionit të vazhdueshëm nga yjet e tenisit botëror, të udhëhequr nga numrat një të renditjes, Janik Siner dhe Arina Sabalenka.

Gjatë “Roland Garros”-it, event që përfundoi më 7 qershor, disa prej emrave më të mëdhenj të qarkut kërkuan një pjesë më të madhe të të ardhurave që gjenerojnë turnetë Grand Slam. Për edicionin 2026 të Uimbëlldonit, që nis më 29 qershor, fondi total i çmimeve do të arrijë në 64.2 milionë paund (74.4 milionë euro), krahasuar me 53.5 milionë paund në vitin e kaluar.
“Kjo është, pa asnjë dyshim, rritja më e madhe vjetore në historinë e turneut”, deklaruan organizatorët. Për krahasim, fondi i vitit të kaluar ishte rritur me vetëm 7% në raport me vitin 2024. Fituesit e turneut në kategoritë teke për meshkuj dhe femra do të përfitojnë nga 3.6 milionë paund secili, ndërsa edhe lojtarët që eliminohen në raundin e parë do të marrin 80 mijë paund (rreth 92 mijë euro), një rritje prej 21%. “Shpresojmë që lojtarët ta mirëpresin këtë rritje,” deklaroi Deborah Jevans, presidente e “All England Club”, organizatorit të Uimbëlldonit.
“Ne do t’i vendosim gjithmonë lojtarët në qendër të vëmendjes, jo vetëm përmes shpërblimeve financiare, por edhe përmes investimeve në infrastrukturë dhe shërbimeve që ofrojmë gjatë turneut”, shtoi ajo. Ndërkohë, drejtoresha e Uimbëlldonit, Salli Bolton, zhvilloi gjithashtu një takim me përfaqësuesin e lojtarëve, Lerri Skot, gjatë “Roland Garros”- it për të diskutuar çështjen e fondit të çmimeve. “Kemi biseduar, kemi shkëmbyer ‘email-e’ dhe jemi takuar në Paris”, shpjegoi Jevans, duke konfirmuar dialogun e vazhdueshëm mes organizatorëve dhe tenistëve.
PANORAMASPORT.AL













