Zmijani, mesazh Likës: Merr lojtarët e moshave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2019 | 10:48

Zmijani, mesazh Likës: Merr lojtarët e moshave

Trajneri i Vllaznisë U-19, Luan Zmijani, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, ka vlerësuar situatën pozitive që po kalon skuadra pas javës së 20-të të kampionatit. Sipas tij, me një fitore ndaj Besëlidhjes, kuqeblutë do të mbyllin njëherë e mirë çështjen e kalimit në Superiore. Ai thekson faktin se tekniku Hasan Lika tani ka mundësinë më të mirë që të provojë dhe të bëjë një seleksion të elementit të ri.

Zmijani1

“Ndërsa Vllaznia e së ardhmes duhet që të ketë një bosht sa më të mirë dhe sa më shumë cilësi”, thotë ndër të tjera tekniku i 19-vjeçarëve. Ndërsa, Zmijani jep edhe “recetën” për sezonin e ardhshëm në elitë. “Mendoj se duhet ruajtur një bosht i mirë. Duhen afrime cilësore dhe financa të sigurta. Por, këto nuk bëhen me një të rënë të lapsit. Kanë që të gjithë vështirësitë e tyre. Ajo që dimë të themi është se duhet një Vllazni më cilësore se kjo e tanishmja”, thotë ndër të tjera tekniku.

Pas kësaj shkëputjeje prej 11 pikësh, tani mund ta quajmë Vllazninë në Superiore në sezonin e ardhshëm?

Mendoj se gjithçka është çështje kohe. Kam bindjen se me një fitore ndaj Besëlidhjes këtë fundjavë, gjithçka mund të quhet e përfunduar. Nuk mendoj se mund të ketë surpriza të pakëndshme, pavarësisht se ne trajnerët qëndrojmë me stres deri në momentet e fundit.

Mendoni se tashmë ka mbërritur momenti që tekniku Lika të shohë më nga afër edhe elementin e ri, pasi kjo ka interes edhe për ju?

Mendoj se tekniku do ta bëjë një gjë të tillë duke afruar lojtarët nga ekipi U-19 dhe po ashtu edhe nga skuadra e Vllaznisë B. Kjo mund të vlejë shumë për të ardhmen. Është momenti më i mirë që të shikojë lojtarët që duhet. Nëse e mbani mend në atë periudhë të fund sezonit, kur unë isha trajner i Vllaznisë, pasi kishim arritur atë objektiv që kishim, afrova disa emra të rinj, ku përmend Sherrin, Gurishtën, Hakajn, Pjeshkën epo ndonjë tjetër. Atyre iu dha mundësia për t’u provuar për vazhdimësinë.

hasab-lika

Një nga lojtarët e rinj që u afrua tani nga Lika është pikërisht Hoxha, i cili duket se premton. Ka emra të tjerë, të cilët mund të afrohen në ekipin e parë?

Nuk dua që të jap emra. Aty ka lojtarë me brumë. Është mirë që tekniku t’i shikojë dhe t’i afrojë, pastaj do të jetë në dorën e tyre që të justifikojnë këtë besim. Jo më kot këta lojtarë janë fitues të kampionatit dhe po ashtu kemi fituar këtë vit edhe Kupën.

Si e shikoni Vllazninë e sezonit të ardhshëm në Superiore. Çfarë duhet që të ndryshojë?

Është sa e lehtë e po aq e vështirë të japësh “receta”. Mendoj se duhet ruajtur një bosht i mirë. Duhen afrime cilësore dhe financa të sigurta. Por, këto nuk bëhen me një të rënë të lapsit. Kanë që të gjithë vështirësitë e tyre. Ajo që dimë të themi është se duhet një Vllazni më cilësore se kjo e tanishmja.

Nëse do të thirreshin lojtarët tuaj gjatë kësaj periudhe që edhe ju jeni në kampionat, mund të ndikojë kjo te paraqitja e U19 që kërkon sërish titullin?

Normalisht që mund të kenë ndikimin e tyre. Por, me drejtuesit e ekipit të parë e kemi lënë se nëse lojtarët që do të stërviten përgjatë tri ditëve me ekipin e parë, nuk do të jenë në planet për t’u aktivizuar në fundjavë, atëherë ato do të bashkohen me skuadrën U-19 për të luajtur takimet e kampionatit. Normalisht që tani për ne është një periudhë jo e lehtë, pasi duhet që të ruhen edhe ekuilibrat. Sigurisht që ne sërish do të kërkojmë që jemi edhe këtë vit kampion. Jemi me pikë të barabarta dhe mendoj se në këto 8 javë të mbetura i kemi mundësitë që pas Kupës të fitojmë edhe kampionatin.

ADMIR URUÇI