EKSKLUZIVE/ Canaj analizon klubet shqiptare: Asnjëra nuk arrin në grupet e Europës, pushimet e gjata po i dëmtojnë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2026 | 23:35

EKSKLUZIVE/ Canaj analizon klubet shqiptare: Asnjëra nuk arrin në grupet e Europës, pushimet e gjata po i dëmtojnë (E PLOTË)

Kampionati shqiptar ka përfunduar, me Egnatian që arriti të fitonte titullin kampion për herë të tretë, teksa në Europë do të jenë edhe Vllaznia, Dinamo dhe Elbasani. Megjithatë, sipas Agim Canajt asnjëra nga këto skuadra, nuk është në lartësinë e duhur për të arritur në grupet e Europës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Canaj shprehet se pushimi i gjatë i verës, po i dëmton klubet.

agim canaj

Profesor, mbaroi kampionati me Egnatian kampione. Si e vlerëson këtë sezon, bashkë me Final Four-in?

Normalisht, ajo që ka më shumë rëndësi është se ky format tregoi që nuk fitoi skuadra që ishte më e mira gjatë gjithë kampionatit. Për mendimin tim, Vllaznia duhej ta fitonte kampionatin bazuar në 36 ndeshjet e sezonit të rregullt, por e fitoi Egnatia, e cila tregoi një fytyrë tjetër në Final Four. Ajo tregoi pjekuri, diti të menaxhojë stresin dhe tre ndeshjet vendimtare, duke arritur të triumfojë ndaj kundërshtarëve dhe të shpallet kampione. Megjithatë, ajo që po diskutohet më shumë tani është ndryshimi i formulës. Për mendimin tim, kjo formulë e ka mbyllur ciklin e saj.

Sot hidhet shorti i Europës. Egnatia në Champions League, ndërsa ekipet e tjera në Conference League. Si i sheh këto katër skuadra dhe sa larg mund të shkojnë?

Nga ajo që po shohim deri tani, si nga mediat ashtu edhe nga informacionet që qarkullojnë, Egnatia është skuadra që ka bërë lëvizjet më të mira në merkato. Kupat e Europës fillojnë shpejt dhe nuk ke shumë kohë për të rregulluar ekipin. Deri në këto momente, Egnatia ka pasur më pak largime dhe ka afruar lojtarë në pozicionet ku kishte nevojë. Për këtë arsye, mendoj se po menaxhon më mirë situatën. Kjo lidhet edhe me faktin që ka të ardhura më të mëdha krahasuar me skuadrat e tjera. Vllaznia, për momentin, duket më e qetë, por duhet të përshpejtojë lëvizjet, sepse më vonë bëhet më e vështirë të sigurosh lojtarët që dëshiron.

Ndërsa Dinamo dhe Elbasani po japin sinjale pozitive, pasi po ruajnë bërthamën e ekipit dhe po përpiqen të plotësojnë boshllëqet që u janë shfaqur gjatë sezonit. Në përgjithësi, të katër skuadrat po bëjnë punën e tyre, por Vllaznia më duket disi më e tërhequr. Ndoshta kjo lidhet me zhgënjimin e madh që përjetoi, pasi pati një ecuri shumë të mirë në kampionat, por jo në Final Four. Elbasani, nga ana tjetër, po tregon stabilitet. Edhe pse e humbi vendin e parë ndaj Egnatias për shkak të golavarazhit, sezoni i tij mbetet një sukses.

Sa i përket Dinamos dhe Vllaznisë, mendoj se duhej të kishin arritur më shumë, duke pasur parasysh investimet e bëra. Dinamo kishte një skuadër cilësore dhe, duke parë nivelin e treguar edhe në Europë sezonin e kaluar, pritej më tepër. Gjithsesi, të katër skuadrat po punojnë në heshtje. Egnatia më duket një hap përpara të tjerave. Natyrisht, Champions League është një nivel më i lartë dhe gjithçka do të varet edhe nga shorti. Megjithatë, Egnatia ka avantazhin e titullit kampion, të një buxheti më të mirë dhe të një atmosfere më pozitive. Po punon fort për të plotësuar çdo nevojë të skuadrës dhe stafit teknik.

A mendon se qetësia në merkato po ndikohet edhe nga mungesa e pjesëmarrjes në Europë për disa klube?

Mendoj se kjo lidhet edhe me pritjen për vendimet që do të merreshin mbi formulën e kampionatit. Nga ajo që është raportuar në media, deri më 15 qershor pritej një vendim për Final Four-in dhe formatin e ri. Deri tani nuk kemi pasur një konfirmim zyrtar. Po ashtu është përfolur edhe mundësia e shtyrjes së kampionatit për disa javë. Këto janë elementë që ndikojnë te qetësia e momentit. Përveç kësaj, vëmendja është përqendruar edhe te Botërori për Klube. Skuadrat po punojnë në mënyrën e tyre, pa shumë zhurmë. Disa ekipe kanë bërë lëvizje të shumta, si Vllora apo Tirana, ku ka pasur ndryshime që nga stafi teknik e deri te grupi i lojtarëve. Mendoj se deri në fund të qershorit nuk do të shohim shumë lëvizje të mëdha, sidomos te skuadrat që nuk marrin pjesë në Europë. Megjithatë, fillimi i korrikut duhet t’i gjejë ekipet e konsoliduara, në mënyrë që të zhvillojnë një fazë përgatitore cilësore. Kampionati vjen shpejt dhe çdo vonesë e komplikon procesin e ndërtimit të skuadrës.

Me kampionatin që nis më 5 shtator, do të ketë gati katër muaj pa futboll. Sa ndikon kjo te klubet, lojtarët dhe financat?

Pa diskutim që pushimet e gjata ndikojnë negativisht. Për skuadrat që nuk marrin pjesë në Europë, ky ka qenë gjithmonë një problem. Duhet të rindërtosh ekipin dhe të ruash ritmin konkurrues. Nëse kampionati nis më 5 shtator, atëherë ekipet do të kenë rreth tetë javë përgatitje të mirëfilltë, gjë që është pozitive. Por fakti që lojtarët qëndrojnë për një periudhë kaq të gjatë pa ndeshje zyrtare e bën më të vështirë rikthimin në formën optimale. Megjithatë, këto janë çështje që futbolli shqiptar i has çdo vit. Klubet ndryshojnë vazhdimisht lojtarë, trajnerë dhe stafe teknike. Gjithçka varet nga mundësitë ekonomike dhe nga stabiliteti organizativ. Madje, edhe sot ka skuadra që ende nuk e kanë përcaktuar trajnerin për sezonin e ardhshëm. Këto janë problematika të njohura të kampionatit shqiptar.

A sheh ndonjë nga skuadrat shqiptare me shanse reale për të arritur fazën e grupeve në Europë?

Për të qenë realist, është shumë e vështirë të thuhet se një skuadër shqiptare mund të arrijë fazën e grupeve. Në të kaluarën, këtë e ka bërë Skënderbeu, por ai kishte një bazë shumë të fortë ekonomike, një grup lojtarësh të konsoliduar prej vitesh dhe një projekt afatgjatë. Sot shohim shumë lëvizje lojtarësh dhe mungesë stabiliteti. Për të arritur në grupe duhet një strukturë e fortë financiare, vazhdimësi në përbërjen e ekipit dhe lojtarë cilësorë.

Këto janë elementë që kushtojnë shumë. Klubet shqiptare e kanë gjithnjë e më të vështirë të mbajnë lojtarët më të mirë, sepse ata marrin oferta më të favorshme jashtë vendit. Kjo e bën edhe më të vështirë ndërtimin e një skuadre konkurruese në arenën europiane. Për momentin, edhe kalimi i një turi konsiderohet sukses. Shpresoj që shorti të jetë sa më i favorshëm për ekipet tona, sepse në Europë edhe fati luan rol të rëndësishëm. Uroj që të bëjnë paraqitje sa më të mira, por nuk shoh ndonjë skuadër me mundësi reale për të arritur në fazën e grupeve.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL