EKSKLUZIVE/ Nga gara në protestë, Nikolli apel për situatën në vend: Sportistët të çohen për të ardhmen (E PLOTË)
David Nikolli, rekordmen dhe një nga atletët më të mirë të Shqipërisë, ka marrë vëmendje së fundmi, jo vetëm me rezultatet e tij të shkëlqyera në pistë. Kampion i dyfishtë në kampionatin kombëtar që u zhvillua pak ditë më parë në Elbasan, me medaljet në qafë, direkt nga podiumi, ai iu bashkua valës së protestave në Tiranë.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, atleti elitar i Shqipërisë rrëfehet mes pistës dhe përfshirjes së tij në situatën aktuale që po kalon vendi. Teksa tregon vështirësitë, duke e nisur nga familja e tij, Nikolli ka një mesazh për sportistët dhe jo vetëm, duke kërkuar që të gjithë të bashkohen për një të ardhme më të drejtë dhe më dinjitoze.
David, u shpallët kampion kombëtar në dy disiplina të atletikës, në 5000 dhe 10000 metra. Si do ta komentoni rezultatin dhe paraqitjen që realizuar në garat që u zhvilluan në Elbasan?
Jam shumë i lumtur për këtë sukses. Është rezultat i punës, sakrificës dhe përkushtimit të vazhdueshëm. Të shpallesh kampion në dy disiplina është një kënaqësi e madhe dhe një motivim për të vazhduar më fort. Dua të falënderoj klubin tim Partizani, presidentin Shkëlqim Muça dhe trajnerin Sabri Bejleri, të cilët më kanë qëndruar gjithmonë pranë dhe kanë bërë gjithçka në dorën e tyre për të më mbështetur në çdo moment. Është një klub shumë i mirë, me njerëz që punojnë me zemër, por që ka edhe vështirësitë e veta. Nëse do të kishte më shumë mbështetje nga shteti, ky klub do të ishte kampion jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, direkt pas garës, nga podiumi i Elbasanit, me medaljet në qafë, erdhët në Tiranë duke iu bashkuar protestës. Për çfarë proteston David Nikolli dhe si e shihni këtë lëvizje që po ndodh në Shqipëri?
Unë protestoj sepse kushtet për sportistët në Shqipëri janë të mjerueshme. Nuk mungon talenti apo dëshira, por mungojnë gjërat bazë si infrastruktura, materialet dhe kushtet minimale për t’u stërvitur seriozisht. Mungojnë edhe gjërat më elementare si veshjet, këpucët, pajisjet bazë për stërvitje dhe shpesh edhe kushtet rreth pistës si tualete apo dushe për atletët. Dhe këto janë vetëm një pjesë e vogël e problemeve, sepse realiteti është shumë më i madh. Në Tiranë pista e atletikës është në gjendje shumë të keqe, e ndërtuar keq dhe e lënë pas dore, diçka që nuk e kam parë askund tjetër. Këto nuk janë detaje, por gjëra thelbësore për një sportist. Dhe kur mungojnë këto, është e pamundur të flasësh për zhvillim serioz apo për rezultate.
Kjo është arsyeja pse shumë sportistë të rinj po largohen, sepse nuk kanë as kushtet më elementare për të qëndruar dhe për t’u zhvilluar. Vendi ynë po zbrazet gjithnjë e më shumë nga të rinjtë. Kushdo që ka një mundësi largohet pa u menduar dy herë. Edhe unë jam jashtë vendit, por zemrën e kam gjithmonë në Shqipëri. Megjithatë, në këto kushte nuk mund të jetohet dhe nuk mund të ndërtohet një e ardhme e sigurt. Edhe familja ime është shembulli më i qartë i kësaj situate.
Ne jemi 10 fëmijë dhe 23 nipër e mbesa, dhe pothuajse të gjithë jetojmë jashtë Shqipërisë, sepse këtu mungojnë kushtet për të mbajtur të rinjtë. Edhe personalisht kam kaluar një moment shumë të rëndë me nënën time. Vitin e kaluar, pasi shpenzuam mijëra euro në Shqipëri, mjekët i kishin dhënë vetëm 15 ditë jetë. U detyruam ta çonim jashtë vendit për t’i shpëtuar jetën dhe sot ajo është mirë. Kjo tregon qartë realitetin që përjetojnë shumë familje. Unë protestoj për sportistët, për të rinjtë dhe për një Shqipëri që nuk duhet t’i detyrojë njerëzit të largohen për të pasur një jetë normale.
Jetoni prej vitesh në Itali dhe i jeni bashkuar gjithashtu edhe protestave që janë zhvilluar së fundmi atje…
Po, kam marrë pjesë edhe në protestat që janë zhvilluar në Torino javën e fundit, sepse dua që zëri i shqiptarëve të dëgjohet edhe këtu në Itali. Ne jemi rreth 550.000 shqiptarë që jetojmë dhe punojmë në Itali, përfshirë edhe familjen time, dhe mendoj se është e rëndësishme që ky komunitet të ketë zërin e tij. Unë po mundohem të bëj pjesën time, si sportist dhe si qytetar, që shqetësimet tona të dëgjohen në mënyrë paqësore dhe të qartë. Mendoj se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim real dhe të thellë. Për shumë vite, mënyra si është drejtuar vendi ka bërë që shumë të rinj dhe familje të largohen, duke kërkuar mundësi më të mira jashtë vendit. Besoj se vetëm me një ndryshim të vërtetë mund të hapen mundësi të reja për shqiptarët, si në Shqipëri ashtu edhe për ata që jetojnë jashtë saj.

Ju keni pasur gjithashtu përplasje me institucionet e sportit në Shqipëri, duke i akuzuar për mungesën e shpërblimit për disa medalje ndërkombëtare që keni fituar me flamurin kuqezi…
Kjo nuk është vetëm një arsye personale. Unë e ngre zërin për të drejtat e mia dhe për të drejtat e të gjithë sportistëve. Imagjinoni kur një kampion nuk paguhet dhe nuk merr mbështetjen minimale që i takon. Unë po kërkoj vetëm atë që më takon me dinjitet. Dhe nëse kjo ndodh me mua, imagjinoni si trajtohen sportistët e tjerë. Në Shqipëri shpesh nuk shihen arritjet dhe vlera e sportistit, por lihet në harresë puna e tyre. Kjo duhet të ndryshojë. Unë kam lindur shqiptar i lirë dhe do të vazhdoj të mbetem i lirë, duke folur për veten time dhe për zërin e të gjithë sportistëve që ndihen të pambështetur dhe të lënë pas dore.
Ndërkohë pista e ndërtuar pak vite më parë në Tiranë, e vetmja që ka kryeqyteti, po shkatërrohet tërësisht…
Sa i përket pistës së atletikës, sot situata është shumë e rëndë. Tani madje makinat hyjnë brenda pistës dhe po organizohen koncerte brenda saj. Atletët, fëmijët dhe të rinjtë nuk mund të stërviten normalisht, sepse pista është tashmë e shkatërruar, e dëmtuar dhe e ndërtuar keq. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, me koncerte dhe aktivitete të tjera, gjendja bëhet edhe më e keqe. Në këto kushte është e pamundur të flasësh për zhvillim sportiv. Aty nuk duhet të organizohen festa apo aktivitete që dëmtojnë pistën, por duhet të jenë vetëm atletët dhe sportistët që stërviten. Në atë pistë nuk stërviten vetëm atletët e atletikës së lehtë, por të gjitha disiplinat: futbollistë, boksierë, karate dhe shumë sporte të tjera. Të gjithë përdorin atë hapësirë, por askush nuk ngre zërin për gjendjen e saj.
Për këtë arsye unë kam bërë thirrje që të gjithë sportistët të flasin hapur dhe të tregojnë të vërtetën. Si mund të stërvitet një fëmijë në një vend ku hyjnë kamionë brenda pistës? Ku hyjnë makina, biçikleta dhe madje edhe motorë? Sot aty kam parë kamionë brenda pistës së atletikës. Kjo është diçka që nuk e kam parë askund tjetër në botë. Është e pabesueshme dhe tregon qartë se si është trajtuar sporti. Dhe më e rënda është se nuk ka as kushtet më minimale. Nuk ka tualete funksionale, njerëzit detyrohen të shkojnë jashtë, rreth pistës ose në pyll nëse kanë nevojë. Nuk ka as dushe, që janë gjëja më bazë dhe më minimale për çdo sportist. Kjo është një situatë që nuk duhet të ekzistojë askund. Është minimumi që duhet të ketë një pistë atletike, dhe megjithatë edhe kjo mungon.
Cili është mesazhi apo thirrja juaj për këtë situatë?
U bëj thirrje të gjithë sportistëve, atletëve, boksierëve, futbollistëve dhe çdo sporti tjetër që të qëndrojmë të bashkuar dhe në solidaritet me njëri-tjetrin. Ne jemi vëllezër dhe motra dhe duhet të mbështesim njëritjetrin kudo që jemi, si brenda ashtu edhe jashtë. Të rinjtë janë plot talent, inteligjentë dhe të aftë për të bërë gjëra të mëdha, por sot vendi dhe të rinjtë kanë nevojë për ne. Duhet t’i ndihmojmë të bashkuar. Nuk duhet të përsëritet e njëjta histori për brezat e rinj.
Nëse ne kemi kaluar vështirësi, ata nuk duhet të përballen me të njëjtat kushte dhe mungesa. Ata meritojnë një të ardhme më të drejtë, më të mirë dhe më dinjitoze. E njëjta situatë është pothuajse në të gjitha sportet në Shqipëri, sepse kam shumë miq në disiplina të ndryshme dhe ata më tregojnë gjendjen reale. Unë vij rreth gjashtë herë në vit në Shqipëri, prandaj i njoh shumë mirë këto probleme dhe realitetin që ekziston aty. Unë u bëj thirrje përsëri të gjithë sportistëve që të mos heshtin, por të thonë të vërtetën. E vërteta duhet thënë. Nuk duhet frikë, nuk duhet heshtje, sepse vetëm duke folur mund të ndryshojë diçka. Unë nuk e flas këtë vetëm për atletikën.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













