Muskuj dhe fantazi, dyshja që “lëviz” mesfushën e Partizanit
Tek Partizani vijon puna për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri, por përpara se të mendohet për afrimet, një nga aspektet më të rëndësishme mbetet ruajtja e ekuilibrave brenda grupit aktual. Në këtë drejtim, dy nga emrat që pritet të kenë një rol vendimtar edhe në edicionin e ardhshëm janë Arafat Dumbia dhe Rouan Human.

Të dy mesfushorët ishin ndër afrimet më të goditura të merkatos së verës së kaluar dhe gjatë sezonit treguan se mund të bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar. Jo rastësisht, ata konsiderohen sot si dy nga futbollistët më cilësorë të organikës së Partizanit. Rouan Human u shndërrua shpejt në një pikë reference për repartin e mesfushës.
Me qetësinë në administrimin e topit, vizionin në lojë dhe aftësinë për të organizuar aksionet, ai ishte shpesh lojtari që i jepte ritëm skuadrës. Kur Human ishte në ditën e tij më të mirë, edhe loja e Partizanit fi tonte më shumë rrjedhshmëri. Mesfushori tregoi se ka cilësitë e nevojshme për të marrë përgjegjësi dhe për të qenë një lider teknik në fushë. Nga ana tjetër, Arafat Dumbia solli energji, intensitet dhe forcë fi zike në mesfushë. Ai ishte një nga lojtarët që mbuloi shumë hapësira dhe që ndihmoi ekipin si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në tranzicionet drejt sulmit.
Kombinimi mes karakteristikave të Human dhe Dumbia krijoi një dyshe që në shumë ndeshje i dha balancë skuadrës. Njëri garantonte organizimin e lojës, ndërsa tjetri siguronte agresivitetin dhe punën pa top. Pikërisht për këtë arsye, sezoni i ardhshëm pritet të kalojë në një masë të madhe edhe nga forma e tyre sportive. Partizani mund të ndryshojë trajner, mund të afrojë futbollistë të rinj dhe mund të ketë ide të reja taktike, por rëndësia e këtyre dy mesfushorëve mbetet e pandryshuar.
Një tjetër element që rrit peshën e tyre është fakti se skuadra nuk do të ketë shumë kohë për të gjetur liderë të rinj në mesin e fushës. Human dhe Dumbia tashmë e njohin ambientin, kampionatin dhe kërkesat e klubit. Kjo u jep atyre një avantazh të rëndësishëm në prag të sezonit të ri. Ata nuk do të kenë nevojë për periudhë adaptimi dhe mund të jenë menjëherë gati për të marrë përgjegjësi. Në një sezon pa Kupat e Europës, Partizani do të kërkojë të rikthehet te rezultatet pozitive në kampionat.
Për ta arritur këtë objektiv, skuadra do të ketë nevojë për futbollistë që ofrojnë vazhdimësi dhe garanci. Human dhe Dumbia kanë treguar gjatë sezonit të kaluar se mund ta mbajnë këtë peshë mbi supe. Të dy ishin ndër lojtarët më të qëndrueshëm të ekipit dhe shpeshherë ndër më të dalluarit në fushë.
Për më tepër, ata janë futbollistë që mund të ndihmojnë edhe në procesin e integrimit të lojtarëve të rinj. Njohja e sistemit dhe eksperienca e fituar në kampionatin shqiptar mund të rezultojnë të vlefshme për grupin. Nuk duhet harruar as fakti se merkatoja sjell gjithmonë pasiguri. Klube të ndryshme mund të interesohen për futbollistët që spikasin dhe Human është një nga emrat që ka tërhequr vëmendje edhe jashtë Shqipërisë.
Megjithatë, për momentin ai mbetet pjesë e Partizanit dhe konsiderohet një nga shtyllat e projektit për sezonin e ardhshëm. E njëjta gjë vlen edhe për Dumbian, i cili me karakteristikat e tij është një futbollist që nuk zëvendësohet lehtë. Nëse të dy do të arrijnë të ruajnë nivelin e paraqitjeve të sezonit të kaluar, Partizani do të ketë një bazë shumë të fortë në mesin e fushës.
Madje, me një skuadër më të stabilizuar dhe me më pak probleme dëmtimesh, ata mund të shfaqin një version edhe më të mirë të potencialit të tyre. Për këtë arsye, rëndësia e Arafat Dumbia dhe Rouan Human nuk lidhet vetëm me atë që kanë bërë deri tani, por edhe me atë që pritet të japin në të ardhmen.
Në një verë ku vëmendja është përqendruar te trajneri i ri dhe merkatoja, dy mesfushorët mbeten një nga garancitë më të mëdha të Partizanit. Dhe nëse të kuqtë synojnë të rikthehen mes pretendentëve kryesorë të kampionatit, atëherë një sezon i mirë i Human dhe Dumbia mund të jetë një nga çelësat më të rëndësishëm të suksesit.
PANORAMASPORT.AL













