Vrapi para duelit me Vllazninë: Nuk e ndiejmë frikën e mbijetesës
Vora e Superiores mund të konsiderohet si ekipi surprizues që ka sjellë bukurinë e këtij kampionati edhe pse nuk ka emra “big” në organikë. Vorakët kanë ditur të nxjerrin në pah, forcën e grupit, që është dhe çelës i çdo suksesi të kësaj skuadre, duke parë mbështetjen kryesore te lojtarë që janë shqiptarë.
Vora sot kundër Vllaznisë kryesuese, në fushë për tre pikë. Kjo është motoja për gjithë grupin vorak, që do të paraqitet gjatë kësaj ndeshjeje. Edhe pse kur sheh emra të këtyre dy skuadrave duket si e vështirë, por jo e pa mundur pasi motivimi i lojtarëve është për të gjithë i njëjtë, ja dalim. Vora ka kryer më së miri përgatitjet për këtë ndeshje dhe stërvitjet, kanë qenë intensive dhe me përqendrim të plotë për kundërshtarin e radhës. Pavarësisht se pozicionimi i Vorës në këtë prag ndeshje është komod, pasi vendi i 7-të mund të quhet si vendi artë në tabelë për skuadrat që kërkojnë mbijetesën, por një disfatë e mundshme bën që afërsia me kundërshtarët rivalë të kalojë në një ndeshje të vetme direkte mes tyre, domethënë ngushtohen në deri 3 pikë nga zona e kuqe.
Prandaj edhe akti i mbijetesës që është prirja e diçkaje për të vazhduar ekzistimin e bën të domosdoshme fitoren e tyre ndaj Vllaznisë. Duke u nisur nga përballjet e mëparshme mes tyre dhe rezultatet e ngushta të realizuar në dy fazat e para 0-1 dhe 0-0 të luajtura në Shkodër, nuk është aspak e vështirë që Vora të marrë një rezultat pozitiv. Por kur mendon diferencat në pozicionimin tabelë, vendi i parë me të shtatin apo dhe ato të pikëve 17 pikë larg njëra-tjetrës, duke krejtësisht e vështirë.
PRONONCIMI – Por për të gjitha këto dhe një mendim sa më të drejtë kemi dhe prononcimin për “Panorama Sport” të mbrojtësit të majtë vorak, Jurgen Vrapi, që kur e pyesim se a ndjehet frika e mbijetesës te kjo skuadër, ai jep mendimin e tij. “Jo aspak, ne nuk e ndjejmë këtë frikë, pasi për momentin ne jemi 5-6 pikë larg rivalëve që na ndjekin. Por duke qenë se kemi dhe 4 ndeshje të tjera radhazi brenda shtëpisë sonë, do të mundohemi që të mbledhim sa më shumë pikë dhe t’i marrim maksimumin ekipeve të mëdha. Siç e keni parë, Vora është një ekip që ka prodhuar futboll të mirë gjatë gjithë kampionatit. Kemi një atmosferë të qetë pozitive dhe jemi gati të përballemi me këdo”, ka deklaruar futbollisti 27-vjeçar kryeqytetas. Ai është aktivizuar në 20 ndeshje kampionati që tregon rëndësinë e këtij lojtari me 1925 minuta lojë aktive në fushë.
MUNGESAT E KONFIRMUARA – Vora nuk do të ketë të gatshme shërbimet e mesfushorit shkatërrues Kevin Dalipi, që mbetet i pezulluar për shkak kartonësh. Gjithashtu një mungesë e mundshme e konfirmuar mund të jetë dhe ajo e kapitenit Xhuljo Tabaku për shkak lëndimesh të lehta.
TIFOZËT – Pritet që të ketë një numër të madh tifozësh në këtë përballje ku ultrasit shkodranë nuk mund të jenë më shumë se 150-200 vetë, pasi aq është kapaciteti për skuadrën udhëtuese në stadiumin e Vorës, por gjithsesi stadiumi është i komod për afro 4000 vende dhe pritet që të mbushet në kapacitetin e tij të plotë.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













