Votlai paralajmëron Bylisin: Ndeshje e vështirë, por Teuta kërkon fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2026 | 14:06

Votlai paralajmëron Bylisin: Ndeshje e vështirë, por Teuta kërkon fitore

Pas përgatitjeve intensive gjatë javës, Teuta është gati për një tjetër sfidë të rëndësishme në kampionat, këtë herë në transfertë ndaj Bylisit. Një përballje që pritet të jetë e luftuar dhe vendimtare për ecurinë e skuadrës durrsake.

votlai teuta

Në prag të këtij takimi, mesfushori Daniel Votlai flet për formën e ekipit, objektivat dhe atë që pret nga kjo ndeshje delikate larg shtëpisë.

Daniel, si po shkon përgatitja e ekipit për ndeshjen e radhës ndaj Bylisit në transfertë?

Po përgatitemi shumë seriozisht. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, sidomos në transfertë, por skuadra është e fokusuar dhe po punon fort gjatë javës për të marrë një rezultat pozitiv.

Çfarë prisni nga kjo përballje?

Presim një ndeshje të luftuar. Bylisi është një ekip që në fushën e vet bëhet i fortë dhe kërkon gjithmonë pikë. Ne duhet të jemi të përqendruar nga minuta e parë deri në fund.

Si e vlerësoni formën aktuale të Teutës?

Kemi pasur ulje-ngritje, por mendoj se jemi në rrugën e duhur. Po rritemi si grup dhe po kuptohemi më mirë në fushë. Kjo është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë.

Roli juaj në mesfushë sa i rëndësishëm është për këtë ndeshje?

Mesfusha është çelësi i lojës. Duhet të kontrollojmë ritmin, të fitojmë duelet dhe të ndihmojmë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Do jap maksimumin për ekipin. Sigurisht që synimi është fitorja. Çdo ndeshje e shohim për tre pikët, por në transfertë çdo pikë ka vlerë. Megjithatë, do futemi në fushë për të fituar.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL